Jose Mourinho është i gatshëm të lejojë largimin e dy lojtarëve të rinj të Real Madridit, por vetëm me një kusht të rëndësishëm.
Portugezi pritet të prezantohet zyrtarisht këtë javë si trajneri i ri i gjigantit spanjoll, pasi Florentino Perez fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale të klubit.
Perez, presidenti afatgjatë i Real Madridit, siguroi 65 për qind të votave në zgjedhjet e para presidenciale të klubit në 20 vjet që kishin një kundërkandidat.
Ndërkohë që transferimet e Ibrahima Konates dhe Denzel Dumfries janë drejt finalizimit, në ‘Santiago Bernabeu’ priten edhe disa largime gjatë kësaj vere.
Sipas mediumit spanjoll El Debate, dy talentët Gonzalo Garcia dhe Franco Mastantuono mund të largohen nga klubi.
Mastantuono iu bashkua Real Madridit këtë verë nga River Plate për 45 milionë euro dhe regjistroi 35 paraqitje në të gjitha garat në sezonin e tij të parë.
Megjithatë, minutazhi i tij është reduktuar pas largimit të Xabi Alonsos dhe ai mund ta ketë të vështirë të sigurojë hapësira të rregullta nëse klubi afron përforcime të tjera në repartin ofensiv.
Një situatë e ngjashme vlen edhe për Gonzalo Garcian, i cili u promovua në ekipin e parë sezonin e kaluar dhe shënoi tetë gola në vitin e tij debutues.
Raporti thekson se Real Madridi po shqyrton disa mundësi për të ardhmen e dy lojtarëve, duke përfshirë huazimin ose edhe shitjen përfundimtare.
Megjithatë, klubi vazhdon t’i konsiderojë të dy si pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë dhe do të kërkojë domosdoshmërisht përfshirjen e një klauzole riblerjeje në çdo marrëveshje transferimi.
Kjo ka qenë një praktikë e zakonshme në strategjinë e transferimeve të Real Madridit.
Madje, klubi raportohet se është gati të aktivizojë opsionin për rikthimin e Nico Paz nga Como, pasi reprezentuesi argjentinas pati një sezon mbresëlënës nën drejtimin e Cesc Fabregasit, duke ndihmuar ekipin italian të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/
