Bernardo Silva po kalon një periudhë të vështirë te Real Madridi, ku trajneri Jose Mourinho nuk po i jep hapësirën e pritur mesfushorit portugez, pavarësisht se klubi e transferoi gjatë verës për të përforcuar repartin e mesfushës.
Sezoni 2026/27 ende nuk kishte filluar kur Mourinho publikisht e kritikoi gjendjen fizike të Silva, duke i kërkuar të përmirësohej gjatë përgatitjeve parasezonale.
“Ai u paraqit në përgatitjet parasezonale me një gjendje fizike dukshëm më të dobët dhe duhet të përmirësohet”, kishte deklaruar trajneri portugez në fillim të gushtit, ndonëse e kishte cilësuar Silva si një lojtar shumë të rëndësishëm për skuadrën.
Megjithatë, minutat e pakta që ka marrë deri më tani tregojnë se mesfushori nuk është pjesë e planeve kryesore të trajnerit. Ai ka regjistruar vetëm katër paraqitje me më shumë se 15 minuta me fanellën e bardhë dhe këto kryesisht kur Aurelien Tchouameni nuk ka qenë në gjendje të luajë nga minuta e parë.
As pauza e fundit ndërkombëtare nuk i solli ndryshimin e pritur. Silva luajti vetëm shtatë minuta me Kombëtaren e Portugalisë, ndërsa në fitoren 1-0 të Real Madridit ndaj Villarrealit mbeti në bankën rezervë gjatë gjithë ndeshjes.
Silva iu bashkua Real Madridit si lojtar i lirë, me pritshmëritë se do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të mesfushës, por deri tani po përballet me vështirësitë e konkurrencës në një skuadër ku emrat e mëdhenj nuk e garantojnë një vend në formacion.
Real Madridi kishte hyrë në afatin kalimtar veror me nevojën për të përforcuar mesfushën, veçanërisht pas largimit të figurave historike si Toni Kroos dhe Luka Modric. Megjithatë, klubi investoi në disa pozita të tjera, ndërsa Silva mbeti përforcimi kryesor në mesfushë.
Fillimisht, portugezi ishte paraparë si alternativë në prapavijë të mesfushës, me Rodrin që pritej të merrte rolin e organizatorit defensiv. Por, pasi ky i fundit zgjodhi Barcelonën, Mourinho mbeti me të njëjtët mesfushorë që nuk kishin arritur të fitonin trofe të mëdhenj në sezonet e mëparshme.
Në tri ndeshjet e para të La Ligës ku Silva luajti nga minuta e parë, Real Madridi regjistroi tri fitore dhe shënoi dhjetë gola. Por, sapo Tchouameni u rikthye në formën e duhur fizike, minutat e portugezit u reduktuan ndjeshëm, pasi Mourinho vendosi të mbështetej te dyshja Valverde-Tchouameni.
Sipas analizës së mediumit amerikan Sports Illustrated, trajneri po përsërit gabimet e paraardhësve të tij, duke këmbëngulur në një dyshe mesfushore që nuk ka dhënë rezultatet e pritura në garat kryesore.
Me skemën 4-2-3-1 që preferon Mourinho, Silva e ka të vështirë të gjejë hapësirë, pasi pozita e numrit 10 është e zënë nga Jude Bellingham ose Arda Guler, ndërsa në krahun e djathtë konkurrenca është po ashtu e madhe.
Megjithatë, Real Madridi mund të ketë nevojë për cilësitë e portugezit, veçanërisht për pasimet e sakta, qetësinë nën presion dhe aftësinë për të organizuar lojën.
Problemet e skuadrës u vunë re edhe në ndeshjen ndaj Villarrealit, kur madrilenët patën vështirësi të krijonin raste dhe u vërshëllyen nga tifozët në përfundim të pjesës së parë. Ndryshimet taktike të Mourinhos pas pushimit sollën përmirësim, ndërsa Arda Guler u zhvendos në mesfushë dhe Valverde në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Në atë kohë, Silva vazhdoi ta ndiqte ndeshjen nga banka rezervë.
Presioni mbi Mourinhon po rritet, pasi Real Madridi ndodhet gjashtë pikë prapa Barcelonës në garën për titullin dhe nuk po bind me paraqitjet e tij.
Nëse rezultatet dhe loja nuk përmirësohen, trajneri mund të detyrohet të ndryshojë skemën dhe përbërjen e mesfushës. Përballja e ardhshme ndaj Barcelonës në El Clasico, në fund të muajit, mund të jetë një pikë kthese edhe për të ardhmen e Silva te klubi madrilen.
Një humbje në atë ndeshje mund ta shtojë presionin mbi Mourinhon dhe t’i hapë rrugën portugezit për të marrë më shumë përgjegjësi në skuadër./Telegrafi/

