Gjatë javës së ardhshme mbi vendin tonë parashihet të mbretërojë mot i vranët, me reshje shiu, ndërsa në viset e larta nuk mungojnë as reshjet e borës.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjendja meteorologjike gjatë këtyre ditëve do të paraqitet si vijon:
E hënë
Mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga lokale shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1 deri në 4 gradë Celsius, kurse ato maksimale ndërmjet 5 deri në 11 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5 metra për sekondë.
E martë
Mot i vranët dhe me reshje shiu. Në viset e larta malore parashihen reshje shiu dhe bore. Temperaturat minimale do të zbresin në 0 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimale do të arrijnë nga 6 deri në 8 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-6 metra për sekondë.
E mërkurë
Mot i vranët dhe me kushte për riga shi në disa zona. Temperaturat minimale parashihen prej 1 deri në 3 gradë Celsius, kurse ato maksimale prej 5 deri në 9 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5 metra për sekondë.
E enjte
Mot kryesisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 dhe 3 gradë Celsius, kurse maksimale ndërmjet 5 dhe 8 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 metra për sekondë.
E premte
Mot i vranët, por do të shoqërohet edhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të shënojnë ulje duke u sjellë nga -1 deri në 2 °C, ndërsa ato maksimale do të ngrihen nga 7 deri në 11 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga verilindja me shpejtësi 1-3 metra për sekondë.
Kushtet biometeorologjike do të jenë të pafavorshme, si pasojë e motit të vranët, reshjeve të herëpashershme dhe temperaturave të ulëta.
Ndryshimet e temperaturës dhe lagështia e shtuar e ajrit mund të ndikojnë në mirëqenien e personave të ndjeshëm ndaj ndryshimeve atmosferike, veçanërisht te personat me sëmundje kronike, reumatike dhe të sistemit të frymëmarrjes.
Meqë grafiku në fushat termike nuk ka ndryshime të mëdha dhe vlerat e temperaturave maksimale paraqiten të ulëta, rekomandohet veshje më e ngrohtë.
Ndërsa, kushtet agrometeorologjike gjatë kësaj periudhe do të jenë përgjithësisht të favorshme për rimbushjen e lagështisë në tokë dhe zhvillimin e proceseve të zakonshme biologjike në kulturat bujqësore.
Reshjet e shiut do të kontribuojnë në përmirësimin e rezervave ujore në tokë, ndërsa temperaturat e ulëta do të ngadalësojnë aktivitetin vegjetativ të bimëve. Në viset e larta, reshjet e përziera të shiut dhe borës mund të shënojnë fillimin e kushteve dimërore.
Rekomandohet që fermerët të shfrytëzojnë periudhat pa reshje për përfundimin e punimeve të mbetura vjeshtore dhe përgatitjen e tokës për sezonin e ardhshëm bujqësor.

