Kjo javë do të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me vranësira dhe intervale me diell.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), reshje shiu parashihen të enjten dhe të premten, ndërsa temperaturat do të mbeten relativisht të buta për këtë periudhë të vitit.
Sot e hënë parashihet mot kryesisht i vranët, me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 15 deri në 19 gradë.
Të martën do të ketë diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale pritet të jenë nga 4 deri në 7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 16 deri në 20 gradë.
Të mërkurën moti do të jetë i vranët, me intervale me diell. Temperaturat minimale do të zbresin deri në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 21 gradë.
Të enjten pritet mot me diell dhe vranësira të shpërndara, por në disa zona mund të ketë reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4 deri në 7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 21 gradë.
Edhe të premten do të ketë vranësira të ndryshueshme, me mundësi për reshje shiu në disa zona. Temperaturat minimale parashihen të jenë nga 4 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 14 deri në 17 gradë.
Era gjatë javës do të fryjë kryesisht nga drejtimet jugperëndimore dhe veriperëndimore, me shpejtësi të ulët deri mesatare.
Sa u përket kushteve biometeorologjike, ato pritet të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullatës. Temperaturat relativisht të buta dhe intervalet me diell do të krijojnë kushte të përshtatshme për aktivitete në ambient të hapur. Megjithatë, lagështia e shtuar gjatë ditëve me reshje mund të ndikojë te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit, veçanërisht te ata me sëmundje kronike reumatike dhe të frymëmarrjes.
Sipas IHMK-së, kushtet meteorologjike do të jenë përgjithësisht të përshtatshme edhe për aktivitetet bujqësore sezonale, ndërsa reshjet e shiut mund të ndihmojnë në lagështimin e tokës dhe plotësimin e nevojave për ujë të kulturave bujqësore.

