Diego Simeone u përfshi në një përplasje në vijën anësore me drejtorin sportiv të Arsenalit, Andrea Berta, në momentet e fundit të një gjysmëfinaleje të tensionuar të Ligës së Kampionëve.
Skuadra e Mikel Artetës siguroi një vend në finalen e madhe falë një goli vendimtar nga Bukayo Saka, që i dha Arsenalit fitoren 1-0 të martën mbrëma dhe triumfin 2-1 në total.
Arsenali do të përballet në finale më 30 maj në Budapest me fituesin e çiftit mes kampionëve në fuqi Paris Saint-Germain dhe rivalëve të vjetër Bayern Munich.
“Topçinjtë” treguan këmbëngulje dhe vendosmëri për të rezistuar në minutat e fundit, duke ia dalë të përballojnë fizikisht dhe taktikisht një Atletico të njohur për ashpërsinë, këmbënguljen dhe mjeshtërinë në “artet e errëta” të lojës.
Në “Emirates Stadium” pati brohoritje të mëdha për çdo largim topi, teksa Arsenali përballoi presionin e vonshëm dhe e menaxhoi kohën me përvojë, duke e ulur ritmin dhe “djegur” sekondat në mënyrë të zgjuar.
Në minutat e thella të shtesës pati një valë kartonësh të verdhë. Si Simeone ashtu edhe Arteta u ndëshkuan nga gjyqtari Daniel Siebert, po ashtu edhe kapiteni i Atleticos, Koke, si dhe portieri zëvendësues i Arsenalit, Kepa Arrizabalaga.
Megjithatë, kartoni i verdhë për Simeonen tërhoqi më së shumti vëmendje. Kur Arsenali ishte vetëm pak sekonda larg fitores, Berta u pa pranë vijës anësore duke bërë me duar drejt gjyqtarit dhe duke i kërkuar atij të vërshëllente përfundimin e ndeshjes.
Drejtori sportiv i Arsenalit tregoi një orë imagjinare në kyçin e dorës dhe lëvizi krahët në ajër për të sinjalizuar se e gjithë koha shtesë ishte luajtur.
Ky veprim e tërboi Simeonen, i cili vrapoi përgjatë vijës anësore dhe e shtyu Bertën drejt tunelit.
Zyrtari i katërt ndërhyri menjëherë për të qetësuar situatën, ndërsa anëtarë të të dy stafeve u përfshinë për ta zbutur incidentin./Telegrafi/