Një ndërtesë shumëkatëshe në ndërtim e sipër u shemb në Nairobi, kryeqytetin e Kenias, ndërsa dyshohet se mund të ketë dhe njerëz të bllokuar nën rrënoja, njoftoi Kryqi i Kuq.
“Një ndërtesë në ndërtim e sipër u shemb në lagjen Eastleigh të Nairobit”, njoftoi Kryqi i Kuq, duke bërë të ditur se kishte dërguar një ekip në vendngjarje.
Pamjet që qarkullojnë në internet tregojnë momentin e shembjes, të shoqëruar nga re të dendura pluhuri.
Eastleigh është një lagje e klasës punëtore, ku jetojnë dhe frekuentojnë shumë pjesëtarë të komunitetit somalez.
Mediat lokale raportuan gjithashtu për plaçkitje.
Shkaku i shembjes nuk dihet ende. Nairobi po përjeton një bum të shpejtë ndërtimesh, ndërsa shembjet e ndërtesave nuk janë të rralla në Kenia, shpesh për shkak të cilësisë së dobët të ndërtimit dhe mosrespektimit të rregulloreve. /Telegrafi/

