Forcat amerikane kanë goditur dhe çaktivizuar dy anije cisternë me flamur iranian, “Sea Star III” dhe “Sevda”, teksa po tentonin të hynin në një port iranian në kundërshtim me bllokadën detare të vendosur nga Uashingtoni ndaj Iranit.
Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), sulmi u krye më 8 maj nga një aeroplan luftarak F/A-18 Super Hornet i nisur nga aeroplanmbajtësja amerikane USS George H.W. Bush.
Aeroplani goditi me municione precize oxhaqet e anijeve, duke i lënë jashtë funksionit dhe duke penguar hyrjen e tyre në territorin iranian.
Mediat amerikane raportojnë se kjo është hera e tretë brenda pak javësh që SHBA përdor forcë ushtarake për të zbatuar bllokadën ndaj Iranit.
Më herët, një tjetër anije cisterne iraniane ishte neutralizuar pranë Ngushticës së Hormuzit, ndërsa anija “Touska” ishte ndaluar nga marina amerikane pas refuzimit për t’iu bindur paralajmërimeve.
Operacioni zhvillohet në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku SHBA ka dislokuar tri aeroplanmbajtëse në rajon për herë të parë që nga viti 2003. Sipas CENTCOM, më shumë se 70 anije cisterne janë ndaluar deri tani nga hyrja në portet iraniane. /Telegrafi/