Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka treguar pse ambasada e SHBA-së dhe ajo e Gjermanisë po e kritikojnë opozitën për planin e BE-së.
Ai ka bërë me dije se kjo po bëhet sepse kritika e opozitës parlamentare nuk është parimore.
Përmes një video-mesazhi të postuar në profilin e tij në “Facebook”, Molliqaj ka thënë se fillimisht PDK-ja dhe LDK-ja e kishin përkrahur këtë plan.
“Në radhë të parë, ky pozicion kritik ndaj opozitës qartëson se pushteti është pajtuar më planin franko-gjerman, apo marrëveshje e dakordsuar në Bruksel. Në radhë të dytë, tregon që opozita ashtu siç kemi thënë kohë më parë, ka kalkuluar gabim për interesa elektorale që Albin Kurti ose Qeveria e Kosovës nuk do ta pranojë këtë plan. Duke e pasur këtë analizë të gabuar, ata janë ofruar para bashkësisë ndërkombëtare duke e mbështetur fillimisht këtë plan dhe duke e mbështetur edhe themelimin e Asociacionit. Prandaj, sot kur ata kritikojnë planin dhe themelimin asociacionit nga bashkësia ndërkombëtare quhen si lojëra politike, sepse e vërejnë se kundërshtimi nuk ka bazë parimore e as të vullnetit politik, por është një kalkulim politik”, ka thënë Molliqaj.
Sipas tij, kundërshtimi i tyre ndaj planit do të shihet nga veprimet e deputetëve në Kuvend.
“Se a do të jetë i vërtetë apo jo kundërshtimi i opozitës parlamentare, kjo do të varet nga veprimet që ata do të bëjnë”, është shprehur Mollliqaj.