Një modele gjermane, e zhdukur prej gati 11 vitesh, është përmendur në Dosjet Epstein, duke rritur frikën e familjes së saj për fatin që mund ta ketë pësuar.
Gruaja, e identifikuar vetëm si “Michele”, u largua nga shtëpia e familjes së saj në shtator të vitit 2015, kur ishte 22 vjeçe, dhe që atëherë nuk është dëgjuar më asgjë për të, shkruan DailyMail.
Ajo kishte qenë për një kohë të gjatë në kontakt me një rekrutues modelesh të quajtur Daniel Siad, i cili kishte lidhje me kriminelin seksual të dënuar Jeffrey Epstein. Epstein vdiq në paraburgim në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për akuza të trafikut seksual që përfshinin të mitur.
Michele kishte kaluar kohë në Dubai dhe në vende të tjera ndërkombëtare, raportuan gazeta gjermane Der Spiegel dhe transmetuesi publik ZDF.
Sipas Dosjeve Epstein, të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në shtator të vitit 2025, Siad i kishte dërguar të paktën dy mesazhe Epstein-it në vitin 2014, një vit para zhdukjes së saj.
Në shkurt të atij viti, ai duket se i kishte dërguar Epstein-it një fotografi të Michele-s, duke shkruar: “Kam vetëm këtë fotografi të saj, e bërë në Dubai.”
Epstein e falënderoi për dërgimin e fotografisë. Muajin pasues, Siad i shkroi financierit për Michele-n, të cilën e përshkroi si “vajza nga Gjermania që nuk pate mundësi ta takosh”.
Ai shtoi: “Është një vajzë që e njoh mirë. Shumë e qetë, shumë e mirë si person. Do ta pëlqesh.”
Der Spiegel thekson se nuk ka asnjë provë që Michele të ketë takuar ndonjëherë milionerin. Dy ish-ndihmës të Jeffrey Epstein-it, të kontaktuar nga revista për koment, thanë se nuk e kishin parë kurrë Michele-n.
Sipas motrës së Michele-s, modelja u zhduk në vitin 2015 pa i treguar familjes se ku po shkonte apo sa kohë do të mungonte.
Por pas një muaji pa asnjë lajm prej saj, familja kontaktoi policinë dhe raportoi zhdukjen. Megjithatë, ligji gjerman parashikon që një kërkim aktiv mund të kryhet vetëm nëse ka prova për një krim të mundshëm.
Një muaj u bë një vit. Pastaj u bënë dy vite. Familja e Michele-s i tha Der Spiegel se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të shpresonte që ajo do të rishfaqej një ditë.
Por vetëm pas publikimit të Dosjeve Epstein familja mori një gjurmë të mundshme për të.
Babai i saj, Vlado, tha se ai dhe bashkëshortja e tij Annett, nga e cila tashmë është ndarë, janë të dëshpëruar për ta gjetur sërish vajzën e tyre.
“Është shumë e rëndësishme për ne që ta gjejmë përsëri, pavarësisht situatës në të cilën ndodhet,” tha ai.
Prindërit treguan se Michele ëndërronte të bëhej modele që në adoleshencë, plane që i kishin zhgënjyer ata.
Annett tha: “Unë doja që ajo të kishte një punë të qëndrueshme.
I thosha: ‘Tani dukesh bukur, por çfarë do të bësh kur të jesh 30 ose 40 vjeçe dhe askush të mos të punësojë më si modele?’”
Pas disa vitesh jetë të shthurur dhe festash gjatë adoleshencës, Michele nisi t’i tregonte nënës së saj për disa punë modelingu që po siguronte, megjithëse nuk jepte shumë detaje.
Në vitin 2012, Michele u shpërngul në Dubai dhe i tha nënës se po punonte si kameriere. Ajo gjithashtu i tregoi se aty kishte njohur Daniel Siad-in.
Vlado zbuloi se Michele kishte pranuar se po punonte për Siad-in si “eskortë” (shoqëruese me pagesë).
Një ish-partner i Michele-s tha se Siad e telefononte vazhdimisht dhe e ofendonte verbalisht:
“Ajo merrte telefonata pa pushim. Ndonjëherë fyhej rëndë në telefon.
Kisha përshtypjen se ishte nën një presion të madh.”
Pas vitesh të tëra në këto rrethana, Michele dukej se ishte lodhur nga mënyra e keqe se si trajtohej.
Ajo u përpoq të hynte në rehabilitim në Gjermani. Në mbrëmje, sipas Vlados, ai dhe vajza e tij uleshin në kopsht, bënin barbeque dhe bisedonin për të ardhmen e saj.
“Ramë dakord që, sapo të kthehesha nga pushimet, do t’i kërkonim një apartament. Dhe një punë të vërtetë.”
Megjithatë, pak kohë më vonë, Michele u zhduk pa lënë gjurmë dhe që atëherë familja e saj nuk ka pasur më asnjë kontakt me të.
