Dy burra janë akuzuar në lidhje me një tentim për grabitje në rezidencën e çiftit mbretëror britanik, Princit William dhe Princeshës Kate, në Anmer Hall, mbrëmjen e së hënës, ka njoftuar policia lokale.
Sipas një komunikate të Policisë së Norfolkut, Mirgen Doku, 34 vjeç, dhe Arilen Ndoci, 32 vjeç, akuzohen për hyrje në një pronë banimi me qëllim vjedhjeje, si dhe për shkelje të një zone të mbrojtur, raporton ABCNews, transmeton IndeksOnline.
Të dy pritet të paraqiten të mërkurën në mëngjes para Gjykatës së Magjistraturës në Norwich.
Ngjarja u raportua rreth orës 18:00 të së hënës, kur policia mori informacione për aktivitet të dyshimtë në një pronë pranë rezidencës mbretërore Sandringham, ku ndodhet edhe Anmer Hall.
Në vendngjarje u dërguan zyrtarë policorë, qen nuhatës, dronë dhe një helikopter, ndërsa dy të dyshuarit u arrestuan në afërsi të pronës dhe u dërguan në paraburgim.
Sipas policisë, Mirgen Doku është banor i Londrës, ndërsa Arilen Ndoci nuk ka një adresë të përhershme banimi.
Anmer Hall është një rezidencë me 10 dhoma gjumi, e cila iu dhurua Princit William dhe Princeshës Kate nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II me rastin e martesës së tyre.
Policia ka bërë të ditur se prona ishte e pabanuar në momentin e incidentit, ndërsa hetimet për rastin janë ende në vazhdim.
Ndërkohë, Princi William dhe Princesha Kate, së bashku me tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, jetojnë aktualisht në Forest Lodge, në pronën mbretërore të Windsor-it. Familja ishte zhvendosur atje vitin e kaluar, pasi më parë kishte jetuar në Adelaide Cottage, po ashtu në Windsor, dhe më herët në Kensington Palace në Londër.

