Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se ministria që ajo udhëheq ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë tri lëndë për hetim, lidhur me dyshimet për shpronësim dhe tjetërsim të kundërligjshëm të pronës publike.
Sipas Pacollit, këto raste kërkojnë shqyrtim dhe zbardhje të plotë nga organet kompetente, me qëllim që të përcaktohet nëse ka pasur shkelje ligjore gjatë proceseve që kanë të bëjnë me pronën publike.
Ajo ka theksuar se mbrojtja e pasurisë publike është një nga përgjegjësitë kryesore të institucioneve shtetërore dhe se çdo veprim që cenon interesin publik duhet të trajtohet nga institucionet e drejtësisë.
“Mbrojtja e pronës publike është obligim i institucioneve dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Askush nuk mund të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme në dëm të interesit publik”, ka shkruar Pacolli në një postim në rrjetin social Facebook.
Ministrja në detyrë ka deklaruar se institucioni do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të mbrojtur pronën publike dhe për të kërkuar llogaridhënie për çdo dyshim që lidhet me keqpërdorimin e saj.
Sipas saj, qëllimi i këtyre veprimeve është garantimi i respektimit të ligjit dhe ruajtja e pasurisë publike nga çdo formë e përfitimit të kundërligjshëm.
Pacolli nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me tri rastet e dorëzuara në Prokurori, duke bërë të ditur se çështjet tashmë janë në duart e organeve kompetente për hetim dhe trajtim të mëtejshëm. /Telegrafi/
