Ministria e Financave njofton se Qeveria miratoi Propozim-ligjin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit të Prokurimeve Publike, me të cilin do të vendosen më shumë zgjidhje që synojnë modernizimin e sistemit, rritjen e transparencës, përmirësimin e konkurrencës, si dhe shpenzimin më efikas të mjeteve publike.
Nga ministria thonë se ndryshimet rezultojnë nga përvojat e fituara në zbatimin e deritanishëm të Ligjit të Prokurimeve Publike, nevoja e harmonizimizimit të tij me kushtet aktuale ekonomike, si dhe nga prioritetet e reformës të përcaktuara në Agjendën reformuese dhe Planin e rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
“Një nga segmentet kryesore të ndryshimeve të propozuara është realizimi i detyrimeve të ndërmarra në kuadër të Agjendës reformuese. Në këtë drejtim, parashikohet përmirësimi i mëtejshëm i Tregut elektronik të prokurimeve me vlerë të ulët, me qëllim të rritjes së shfrytëzimit të tij dhe konkurrencës më të madhe midis operatorëve ekonomikë. Kjo masë është pjesë e aktiviteteve reformuese të planifikuara për vitin 2026”.
“Gjithashtu, parashikohet vendosja e detyrueshme e kriterit “raporti më i mirë ndërmjet çmimit dhe cilësisë” gjatë përzgjedhjes së ofertës më të favorshme, që paraqet një nga aktivitetet kryesore të Agjendës reformuese për vitin 2027. Në këtë mënyrë krijohen kushte që institucionet të mos zgjedhin automatikisht ofertën me çmimin më të ulët, por ta vlerësojnë edhe vlerën, cilësinë dhe justifikueshmërinë afatgjate të ofertave”.
“Ndryshimet e propozuara parashikojnë gjithashtu përforcimin e theksuar të digjitalizimit të prokurimit publik. Gjithashtu, zgjerohen edhe kompetencat e Byrosë së Prokurimeve Publike në drejtim të shfrytëzimit të mjeteve dhe zgjidhjeve moderne digjitale, me qëllim të monitorimit më efikas të procedurave, identifikimit të risqeve dhe parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme dhe praktikave korruptive”, thonë nga MF.
Gjithashtu thonë se me ndryshimet e reja krijohet bazë ligjore për vendosjen e shërbimeve në internet dhe shkëmbimin automatik të të dhënave me institucione të tjera dhe subjekte përkatëse.
“Në ndryshimet e propozuara, vend të rëndësishëm zë edhe profesionalizmi i kuadrit që punon në fushën e prokurimeve publike. Në vend të modelit të deritanishëm të ricertifikimit periodik përmes ridhënies së provimit, po vendoset një sistem i vazhdueshëm i përsosjes profesionale. Në këtë mënyrë, të punësuarit në prokurimet publike do të kenë mundësi të vazhdueshme të përvetësojnë dijet dhe aftësitë e tyre në përputhje me praktikat moderne dhe standardet evropiane”.
“Zgjidhjet ligjore të propozuara paraqesin një pjesë të përpjekjeve më të mëdha të Ministrisë së Financave për krijimin e një sistemi më efikas, transparent, modern të prokurimeve publike, të harmonizuara me standardet evropiane dhe prioritetet reformuese të shtetit, me qëllimin përfundimtar të ofrimit të vlerës më të madhe për mjetet publike dhe shërbimeve më të mira për qytetarët”, thonë nga MF.
