Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani ka shkruar në lidhje me pretendimet e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama në lidhje me telashet rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030.
Në reagimin e tij në Facebook, Gashani theksoi se Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare dhe se, sipas tij, janë duke punuar në organizimin e tyre në përputhje me standardet dhe afatet e përcaktuara.
“Dua të ritheksoj se përkushtimi ynë për organizimin dhe realizimin me sukses të këtij eventi madhor sportiv mbetet i plotë dhe i palëkundur. Ne po vazhdojmë punën me përgjegjësi, seriozitet dhe dedikim, në bashkëpunim me ICMG-në, por edhe të gjithë partnerët dhe institucionet përkatëse, për të siguruar që çdo punë, çdo proces dhe çdo obligim që lidhet me organizimin e Lojërave Mesdhetare të realizohet në përputhje me standardet dhe afatet e përcaktuara”, tha ndër të tjera ministri i Sportit.
Ai pranoi se ka vështirësi e probleme në këtë drejtim, por shtoi se ato po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, “pa zhurmë, pa britma, pa ankesa”.
Reagimi i Ramës, thotë Gashani, është “ngritje e alarmeve e disfatizmit” që, sipas tij, është “jo vetëm i rrezikshëm, por edhe i pavend e i pabazë”.
Ministri shtoi se Qeveria që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e këtyre Lojërave.
“Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030! Kosova do të organizojë e do të shkëlqejë në Lojërat Mesdhetare 2030, në organizim të tyre dhe në sukseset e garuesve tanë në arenat sportive!”, shkroi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Gashani, reagimin e kryetarit të Kryeqytetit e quajti “në stilin e fëmijës së pakënaqur e qaraman”, teksa shtoi se korrespodenca e publikuar nga Rama nuk e pasqyron tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale.
Ai shtoi se Rama nuk e ka përmendur “faktin këtu se letra për trajtimin e punëve e shqetësimeve mes institucionesh partnere – jo për publikime e teatralitet në Facebook – i është drejtuar edhe atij, jo vetëm titullarëve tjerë të institucioneve, që ai, në stilin e fëmijës së pakënaqur e qaraman kur vijnë mysafirët, tenton t’i sulmojë”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë ditës së sotme, paralajmëroi se Kosova është në prag të humbjes së “Lojërave Mesdhetare 2030”.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se sot, ICMG ka konfirmuar mungesën e përgjigjeve institucionale dhe si rrjedhojë më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata dhe do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme që do të vendosë për të ardhmen e Lojërave.

