Mikel Merino u shndërrua sërish në heroin e Spanjës. Mesfushori spanjoll shënoi golin vendimtar në fitoren 1-0 ndaj Portugalisë, duke i siguruar “Furisë së Kuqe” kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026.
Merino hyri në fushë në minutat e fundit të kohës së rregullt, por nuk i nevojitej shumë kohë për të lënë gjurmë. Në minutën e parë të vazhdimeve, ai finalizoi me qetësi një aksion të shpejtë të Spanjës, pas asistimit të Ferran Torresit, duke mposhtur Diogo Costan dhe duke vendosur fatin e takimit.
Goli i tij nuk ishte vetëm një biletë për Spanjën drejt çerekfinaleve. Ai shënoi edhe fundin e rrugëtimit të Cristiano Ronaldo në Kupën e Botës. Portugezi kishte paralajmëruar para ndeshjes se Botërori 2026 do të ishte i fundit në karrierën e tij, ndërsa eliminimi ndaj Spanjës e mbylli një kapitull të madh në futbollin ndërkombëtar.
Njeriu i golave të mëdhenj
Merino po krijon reputacion si futbollist i momenteve vendimtare. Në Kampionatin Evropian, ai shënoi me kokë në minutën e 119-të ndaj Gjermanisë, gol që i siguroi Spanjës kalimin në gjysmëfinale dhe i dha fund karrierës ndërkombëtare të Toni Kroos.
Në atë ndeshje, Gjermania u eliminua dhe më pas nga kombëtarja u larguan edhe Thomas Muller e Ilkay Gundogan. Tani, me golin ndaj Portugalisë, Merino u bë sërish protagonist në një ndeshje që mbylli një epokë për një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.
Mesfushori 30-vjeçar ka arritur në 11 gola me Kombëtaren e Spanjës dhe është një nga golashënuesit më të rëndësishëm të periudhës së Luis de la Fuente.
“Mikel Merino nuk na zhgënjen kurrë. Ai është një lojtar i sigurt dhe gjithmonë shfaqet kur ka më shumë rëndësi. Kemi futbollistë në stol që do të ishin titullarë në shumë kombëtare të tjera”, ka thënë De la Fuente pas ndeshjes.
Nga periudha e vështirë te momenti i madh
Merino ka pranuar se ky sezon nuk ka qenë i lehtë për të, por goli ndaj Portugalisë e bëri një nga momentet më të mëdha të karrierës së tij.
“Të isha këtu ishte e paimagjinueshme disa muaj më parë. Tani jam në majë të botës dhe po shijoj një nga momentet më të lumtura të karrierës sime. Çdo ditë përpjekjeje dhe çdo moment dyshimi ia ka vlejtur”, ka thënë ai.
Në momentin e golit, Merino festoi pranë flamurit të këndit, një gjest që shpesh e bën në nderim të babait të tij.
Festimi në Dallas kishte një kuptim të veçantë, pasi i dha Spanjës një fitore të madhe dhe e afroi atë me ëndrrën për trofeun e Botërorit.
Dhurata për djalin e porsalindur
Kualifikimi në çerekfinale ka edhe një domethënie personale për Merinon. Ai u bë baba disa muaj më parë dhe tani gruaja e tij, Lola, së bashku me djalin e tyre Marco, pritet të udhëtojnë për ta ndjekur Spanjën në fazën e ardhshme.
“Të luash në Kupën e Botës është e jashtëzakonshme, por ka edhe një anë të vështirë: po humbas muajt e parë të jetës së djalit tim. Më mungojnë shumë, por për fat të mirë do të vijnë të më shohin në çerekfinale”, ka treguar Merino.
Për Spanjën, ai është një armë e çmuar nga stoli. Për kundërshtarët, Mikel Merino po bëhet njeriu që shfaqet në momentet më të mëdha dhe ndryshon historinë e ndeshjeve. /Telegrafi/
