Mijëra studentë dhe mësues kanë dalë të mërkurën në rrugët e Greqisë, duke kërkuar më shumë financim shtetëror për arsimin, kushte më të mira në shkolla dhe klasa më pak të mbipopulluara. Protestat vijnë në një kohë kur në disa vende evropiane po shtohen pakënaqësitë për koston e lartë të jetesës.
Sipas policisë, rreth 10 mijë protestues, përfshirë nxënës të shkollave dhe studentë universitarë, morën pjesë në një tubim paqësor në qendër të Athinës dhe në zonat përreth saj.
Protesta u organizuan edhe në qytete të tjera të vendit, ku pjesëmarrësit shprehën solidaritet me protestat në Francë dhe vende të tjera evropiane, duke kundërshtuar rritjen e kostos së jetesës dhe kushtet e dobëta në shkolla, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Protestat shtojnë presionin ndaj qeverisë së qendrës së djathtë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, e cila përballet me zgjedhjet e planifikuara për mesin e vitit 2027. Ndërkohë, qytetarët grekë vazhdojnë të përballen me paga të pandryshuara, qira të larta dhe rritje të kostove të energjisë, vite pas krizës së borxhit që goditi vendin.
“Që nga Greqia deri në Francë, duam arsim publik dhe falas”, brohorisnin protestuesit e mbledhur para parlamentit. Studentët kishin ngritur tenda në sheshin Sintagma, në qendër të Athinës, ku kishin zhvilluar edhe një protestë gjatë natës, përpara marshimit të së mërkurës.
Protestat shkaktuan ndërprerje edhe në funksionimin e shkollave publike dhe spitaleve, pasi një pjesë e mësuesve të arsimit fillor dhe mjekëve ndërprenë punën për të kundërshtuar pagat e ulëta dhe mungesën e personelit.
Ministrja e Arsimit, Sofia Zacharaki, deklaroi para protestave se po i dëgjonte kërkesat e studentëve. Ajo pranoi se kostot e banimit po rëndojnë buxhetet e familjeve greke, ndërsa bëri të ditur se janë duke u realizuar projekte me vlerë mbi 733 milionë euro për ndërtimin e konvikteve të reja studentore dhe përmirësimin e objekteve ekzistuese.
Greqia ka arritur të rimëkëmbet nga kriza e borxhit që zgjati nga viti 2009 deri në vitin 2018, gjatë së cilës pagat dhe shpenzimet për arsimin u shkurtuan në kuadër të masave shtrënguese, në këmbim të tri pakove ndërkombëtare të shpëtimit financiar me vlerë rreth 290 miliardë euro.
Megjithëse pagat janë rritur që atëherë, fuqia blerëse reale e shumë grekëve vazhdon të jetë ndër më të ulëtat në Bashkimin Evropian. Situata është përkeqësuar më tej nga inflacioni dhe rritja e çmimeve të karburanteve, të lidhura me luftën në Iran.
Paga mesatare mujore prej rreth 1,500 eurosh ka mbetur në nivelin e vitit 2009, ndërsa qiratë e larta në qytete po ua vështirësojnë gjithnjë e më shumë të rinjve mundësinë për të siguruar banim.
“Është shumë e vështirë të mbijetosh këtu. Qiraja është vërtet e lartë dhe banesat janë shumë të vogla. Prindërit tanë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për qiranë, energjinë elektrike dhe jetesën tonë këtu”, tha Georgia Foukidou, 21-vjeçare, studente universitare që iu bashkua protestës në Athinë.
Demonstratat në Greqi vijnë pas disa ditësh protestash në Francë dhe Shqipëri, ku pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës dhe perceptimin për korrupsion kanë çuar në përplasje dhe dëme të mëdha materiale.
Ndërkohë, protestat në Greqi kanë qenë kryesisht paqësore gjatë muajve të fundit. Qeveria e Mitsotakis ka deklaruar se subvencionet dhe ndihmat e tjera për familjet dhe bizneset, për t’i mbrojtur nga rritja e kostove të energjisë, do të arrijnë vlerën prej rreth një miliard eurosh.

