Sulmuesi francez i Bayern Munich vazhdon të jetë pjesë e spekulimeve që e lidhin me një transferim të ardhshëm te Real Madridi. Klubi bavarez po shqyrton mundësinë e përfshirjes së një klauzole lirimi në kontratën e re të yllit të tij.
Michael Olise, 24 vjeç, ka qenë një prej emrave më të përfolur gjatë afatit kalimtar të transferimeve. Sulmuesi francez i Bayern Munich është lidhur vazhdimisht me një kalim të mundshëm te Real Madrid, veçanërisht në fillim të verës, kur u raportua se ndërkombëtari francez mund të ishte transferimi i madh i radhës i përgatitur nga presidenti madrilen Florentino Perez.
Megjithatë, ky transferim nuk u konkretizua. Bayern Munich nuk ishte i gatshëm të lejonte largimin e një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, ndërsa Real Madridi nuk dëshironte të prishte marrëdhëniet e mira mes dy klubeve.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit spanjoll vendosën të mos ndërmarrin një hap konkret për transferimin e tij, të paktën për momentin.
Olise do të vazhdojë të jetë pjesë e Bayern Munich, pavarësisht raportimeve se ai u kishte treguar disa prej shokëve të tij të kombëtares se ëndrra e tij është të luajë një ditë për Real Madrid.
Tani, Bayern Munich synon të zgjasë kontratën e francezit. Marrëveshja aktuale është e vlefshme deri në verën e vitit 2029, por klubi bavarez dëshiron ta zgjasë atë edhe për disa vite të tjera, duke i ofruar një pagë më të lartë, me synimin për ta bindur Olisen se ai do të jetë një prej figurave kryesore të projektit të ri të klubit.
Në të njëjtën kohë, Bayern dëshiron ta mbrojë lojtarin nga interesimi i klubeve të tjera evropiane.
Një klauzolë prej 200 deri në 250 milionë euro
Sipas gazetarit Christian Falk, ideja e Bayern Munich është që në kontratën e re të Olises të përfshihet edhe një klauzolë lirimi. Bisedimet për rinovimin e marrëveshjes pritet të nisin së shpejti, ndërsa klubi gjerman synon të vendosë një çmim jashtëzakonisht të lartë për largimin e tij.
Deri më tani, Bayern Munich nuk ka pasur si praktikë vendosjen e klauzolave të lirimit në kontratat e lojtarëve të tij. Megjithatë, së fundmi klubi ka nisur ta ndryshojë këtë qasje, me Jamal Musialën që është një prej rasteve konkrete.
Sipas raportimeve, klauzola e lirimit të Olises mund të vendoset në një shifër prej 200 deri në 250 milionë euro. Me këtë lëvizje, Bayern synon ta bëjë sa më të vështirë largimin e francezit, në rast se një klub i madh evropian vendos të investojë shifra të mëdha për transferimin e tij.
Ndërkohë, Christian Falk e përjashton Liverpoolin nga gara për Olisen, pasi klubi anglez ka transferuar së fundmi Bradley Barcolan.
Nëse marrëveshja e re realizohet me një klauzolë të tillë, Michael Olise do të ishte një prej lojtarëve me çmimin më të lartë të përcaktuar për largim në futbollin evropian. /Telegrafi/