Kompania Meta, e njohur për Facebook dhe Instagram, po rikthen planet për një orë inteligjente, pas ndërprerjes së projektit të mëparshëm para disa vjetësh.
Pajisja e re, e koduar me emrin “Malibu 2”, pritet të rivalizojë markat më të njohura të teknologjisë ‘wearable’, si Apple dhe Samsung.
Ora do të ofrojë monitorim të avancuar të shëndetit dhe aktivitetit fizik, një asistent virtual me inteligjencë artificiale dhe do të mund të lidhet direkt me syzet inteligjente të Meta, duke u bërë një pajisje qendrore në ekosistemin e kompanisë.
Meta kishte ndalur projektin e saj të parë për orë inteligjente në vitin 2022, por sukseset e fundit në fushën e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë AR kanë rikthyer interesin për pajisjet ‘wearable’ (pajisjeve që mbahen mbi trup).
Burimet e brendshme tregojnë se ora mund të prezantohet zyrtarisht gjatë vitit 2026, por kompania ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar.
Për analistët, rikthimi i Meta-s në tregun e orëve inteligjente tregon një përpjekje për të zgjeruar ndikimin e saj në jetën digjitale të përdoruesve, duke krijuar një ekosistem ku ora, syzet dhe platformat sociale funksionojnë në harmoni. /Telegrafi/