KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Merz: Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin me urgjencë mosmarrëveshjet

Merz: Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin me urgjencë mosmarrëveshjet

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u ka bërë thirrje gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë me vendosmëri rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Në hapje të samitit të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Shën Stefan të Malit të Zi, Merz iu referua protestave të fundit në disa vende të rajonit, duke thënë se ato dërgojnë një mesazh të qartë për nevojën e vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE-së.

Kancelari gjerman siguroi vendet e Ballkanit Perëndimor për mbështetjen e Gjermanisë në rrugën e tyre drejt BE-së, raporton media gjermane “Zeit”, transmeton Klankosova.tv.

Në të njëjtën kohë, Merz bëri thirrje për pajtim dhe heqje dorë nga dhuna, në një kohë kur në rajon vazhdojnë tensionet.

Ai theksoi se “Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin urgjentisht mosmarrëveshjet mes tyre, në mënyrë që të përparojnë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Sipas kancelarit gjerman, nëse vendet e rajonit zbatojnë reformat e nevojshme, ato nuk duhet të mbeten përgjithmonë të penguara nga konfliktet e së kaluarës. Në këtë kontekst, ai iu referua shpërbërjes së Jugosllavisë gjatë viteve ’90.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë prej vitesh anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Samiti po mbahet në kuadër të të ashtuquajturit Procesi i Berlinit, të cilin kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, e nisi në vitin 2014, me synimin për të afruar vendet e rajonit me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, Gjermania dhe Franca kanë propozuar një nismë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Ajo parasheh integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Sipas kësaj qasjeje, vendet që përmbushin reforma dhe kritere të caktuara mund të përfitojnë, për shembull, qasje më të lehtë në tregun e përbashkët evropian ose të dërgojnë vëzhgues në institucionet e BE-së. /Klankosova.tv

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.