Visar Memeti, kandidat shqiptar për deputet në Serbi, ka thënë që pritshmëritë janë reale që shqiptarët t’i marrin tri ulëse në parlamentin serb në zgjedhjet parlamentare.
Ai tha se këtë herë i kanë bashkuar forcat dhe kanë lënë egot anash pas rezultatit të disa viteve më parë kur kishin përfunduar me vetëm një ulëse.
“Pritshmëritë e tona janë reale. Nuk po duam me e ekzagjeru, mirëpo shumë janë reale që të sigurojmë tri ulëse në parlamentin serb”, tha Memeti në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Ne i kemi dy përvoja prej vitit 2020 kur kemi qenë me një listë të përbashkët në atë kohë edhe i kemi fituar tri mandate".
“Kështu që pastaj 2022-tën dhe 2023-tën në zgjedhjet të tjera parlamentare për fat të keq ishim me dy lista të ndara. Edhe atë kohë 2022 a 2023 mezi që është siguruar një mandat në parlamentin serb edhe duke e ditë që parlamenti serb i ka 250 ulëse, kështu që një ulëse është gati simbolike në qoftë se mund ta them".
“Kështu që për këtë arsye këtë vit në këto zgjedhje i kemi bashkuar forcat, i kemi lënë anash egot edhe interesat personale, jemi bërë bashkë edhe tash synojmë padyshim tri ulëse në parlamentin serb”.

