Nisja e Kampionatit Botëror 2026 ka sjellë jo vetëm emocione futbolli, por edhe komente ironike në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare.
Tabloidi britanik “The Sun” ka publikuar një postim që është bërë viral, duke tallur mungesën e Italisë në Botërorin e këtij viti.
Në publikim shfaqen një fotografi e superyllit kolumbian të muzikës, Shakira, dhe një tjetër e sulmuesit të ri italian, Pio Esposito.
“The Sun” ka shoqëruar fotot me një koment ironik që ka tërhequr vëmendje të madhe online.
“Shakira ka marrë pjesë në më shumë Kampionate Botërore se Italia gjatë 20 viteve të fundit”, shkruhej në postim, i cili shoqërohej edhe me dy emoji që qeshin.
Komenti lidhet me faktin se këngëtarja kolumbiane ka qenë pjesë e disa edicioneve të Kupës së Botës, qoftë përmes himneve zyrtare apo performancave në ceremonitë hapëse, ndërsa Italia ka munguar në disa turne të mëdhenj vitet e fundit.
Postimi ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, me shumë tifozë që e konsideruan një thumbim të fortë ndaj katër herë kampionëve të botës, të cilët nuk arritën të sigurojnë pjesëmarrjen në Botërorin 2026.
Italia vazhdon të mbetet një nga kombëtaret më të suksesshme në historinë e futbollit, por mungesa e saj në turnetë e fundit ka qenë shpesh objekt diskutimesh dhe talljesh në mediat sportive ndërkombëtare. /Telegrafi/
