Lamine Yamal vazhdon të thyejë rekorde me fanellën e Spanjës, teksa tani ka hyrë në mesin e 10 golashënuesve më të rinj në historinë e Kupës së Botës.
Ylli i Barcelonës realizoi golin e parë në fitoren 4-0 të Spanjës ndaj Arabisë Saudite në Atlanta, duke zhbllokuar rezultatin që në minutën e 11-të të takimit.
18-vjeçari reagoi më shpejt se të gjithë në zonë pas një krosimi të ulët të Mikel Oyarzabalit dhe e dërgoi topin në rrjetë nga afërsia, duke i dhënë epërsinë e hershme skuadrës së Luis de la Fuentes.
Përveç rëndësisë në ndeshje, ky gol ka hyrë edhe në histori. Në moshën 18 vjeç e 343 ditë, Yamal është bërë zyrtarisht golashënuesi i tetë më i ri në historinë e Kupës së Botës.
Ai ka lënë pas emra të mëdhenj të futbollit si Lionel Messi dhe Julian Green, ndërsa në listën elitare vazhdon të kryesojë legjenda braziliane Pele.
Lista e 10 golashënuesve më të rinj në historinë e Kupës së Botës:
Pele – 17 vjeç e 239 ditë
Manuel Rosas – 18 vjeç e 93 ditë
Gavi – 18 vjeç e 110 ditë
Ibrahim Mbaye – 18 vjeç e 143 ditë
Michael Owen – 18 vjeç e 190 ditë
Nicolae Kovacs – 18 vjeç e 197 ditë
Dmitri Sychev – 18 vjeç e 231 ditë
Lamine Yamal – 18 vjeç e 343 ditë
Lionel Messi – 18 vjeç e 357 ditë
Julian Green – 19 vjeç e 25 ditë
Yamal kishte nisur nga banka rezervë ndeshjen e parë të Spanjës në Kupën e Botës kundër Kepit të Gjelbër për shkak të një shqetësimi të lehtë në kofshë, por u rikthye titullar ndaj Arabisë Saudite dhe tregoi menjëherë rëndësinë e tij.
Me këtë gol, talenti i Barcelonës jo vetëm që ndihmoi Spanjën të sigurojë një fitore të rëndësishme, por edhe shtoi një tjetër rekord në karrierën e tij të jashtëzakonshme, e cila vazhdon të marrë përmasa historike pavarësisht moshës së re./Telegrafi/
