Mbretëria e Bashkuar ka dënuar deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila së fundmi shkaktoi reagime të shumta me komentet e saj lidhur me Kosovën.
Përmes një deklarate, zëdhënësi i Zyrës për Punë të Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim (FCDO) i Mbretërisë së Bashkuar tha se referencat për spastrimin etnik të Kosovës janë tërësisht të papranueshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme.
“Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë tërësisht të papranueshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, thuhet në deklaratë, të publikuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Londra zyrtare vlerësoi se deklarata të tilla rrezikojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione në rajon, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe multietnike.
“Në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe multietnike, deklarata të tilla synojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione. Udhëheqësit politikë të përgjegjshëm duhet ta refuzojnë këtë gjuhë qartë dhe pa asnjë mëdyshje.
Ne e mirëpresim faktin që presidenti Vuçiq i ka hedhur poshtë këto komente”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/
