Programi i Skriningut Neonatal po zgjerohet në gjithë Kosovën, duke mundësuar zbulimin e hershëm të sëmundjeve të lindura te të porsalindurit. Deri tani janë realizuar mbi 4 mijë testime dhe janë identifikuar tri raste pozitive, duke krijuar mundësi për trajtim në kohë dhe parandalim të komplikimeve.
Në këto hapësira në Klinikën e Neonatologjisë realizohet Programi i Skriningut Neonatal, i cili synon që, përmes diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve, të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit të foshnjave, përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre dhe forcimin e kujdesit shëndetësor në vend.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, skriningu neonatal është një test i thjeshtë, i sigurt dhe i shpejtë, i cili mundëson identifikimin e sëmundjeve që nuk shfaqin simptoma në ditët e para të jetës, duke krijuar kështu mundësi për trajtim në kohë dhe parandalimin e komplikimeve serioze te të porsalindurit.?
Deri më tani në këtë klinikë janë realizuar 4,146 testime. Drejtori i Neonatologjisë, Luan Morina, thekson rëndësinë që ka ky testim në zbulimin dhe trajtimin e hershëm të sëmundjeve.
“Testimi ka për qëllim zbulimin e pesë sëmundjeve të lindura, të cilat janë shumë të rënda, si fibroza cistike, fenilketonuria, hipotiroidizmi? Këto janë sëmundjet që ne i detektojmë përmes një testimi tejet të thjeshtë, me disa pika gjaku të marra nga thembra e këmbës së të porsalindurit, nga 24 deri në 72 orët e para. Me këto pika gjaku arrijmë të zbulojmë nëse këta fëmijë kanë prirje të manifestojnë këto sëmundje”, thotë ai.
Morina bëri të ditur edhe sëmundjet që, përmes këtij testimi, janë identifikuar më së shpeshti.
“Deri më tani janë realizuar 4.146 testime, përfshirë edhe spitalet që kanë filluar ta zbatojnë këtë program. Janë identifikuar 16 raste me vlera të dyshimta dhe tri raste pozitive. Kjo është e mirë, sepse kemi zbuluar tri raste me fibrozë cistike që mund ta manifestojnë këtë sëmundje. Nëse nuk do të zbuloheshin më herët, këta fëmijë do ta manifestonin sëmundjen dhe ajo do të zhvillohej edhe më shumë. Megjithatë, trajtimi pastaj nuk është aq efektiv sa parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm”, shton tutje Morina.
Pas fillimit të zbatimit në QKUK, programi është zgjeruar edhe në spitalet rajonale në Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Prizren dhe Pejë, ndërsa së shpejti, u tha se do të nisë edhe në Ferizaj dhe Vushtrri, me qëllim që çdo i porsalindur në Kosovë të ketë qasje në këtë shërbim jetik.
