Mbi 300 banorë të një kompleksi banesor në lagjen Weinegg të Cyrihut janë të shqetësuar për të ardhmen e banesave të tyre, pasi një kompani e lidhur me UBS planifikon një projekt të ri ndërtimi në këtë zonë.
Kompleksi aktualisht përbëhet nga 119 banesa, ndërsa plani i ri parashikon ndërtimin e rreth 300 apartamenteve.
Shumica e ndërtesave janë ndërtuar në vitin 1952 dhe, sipas administrimit të pronës, kanë nevojë për investime dhe rinovime të mëdha. Për zhvillimin e projektit është angazhuar kompania e pasurive të paluajtshme Halter.
Banorët frikësohen se projekti mund të nënkuptojë prishjen e ndërtesave ekzistuese dhe ndërtimin e një kompleksi të ri, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.
Për këtë arsye, një grup banorësh ka nisur një peticion kundër projektit. Ata kërkojnë që të shmanget prishja e banesave ekzistuese dhe që, nëse ndërhyrjet janë të domosdoshme, ato të realizohen në faza. Gjithashtu kërkojnë qira të përballueshme dhe informim më transparent për të ardhmen e kompleksit.
Shqetësimi kryesor lidhet me rritjen e mundshme të qirave. Një banore aktualisht paguan rreth 2 mijë franga në muaj për një apartament me tri dhoma dhe 75 metra katrorë. Sipas vlerësimeve të përmendura në raportim, një banesë e ngjashme pas një ndërtimi të ri mund të kushtojë nga 4 mijë deri në 5 mijë franga në muaj.
Nga UBS është bërë e ditur se deri tani nuk u është komunikuar banorëve ndonjë vendim për largim dhe se ende nuk është përcaktuar mënyra se si do të zhvillohet projekti.
Aktualisht, pronarja dhe qyteti i Cyrihut janë në fazën e vlerësimit të projektit. Studio të ndryshme arkitekturore mund të paraqesin propozimet e tyre, ndërsa më pas një juri pritet të rekomandojë projektin për zhvillimin e mëtejshëm të zonës.
Peticioni i banorëve ka mbledhur 6,567 nënshkrime në pak më shumë se dy javë. Organizatorët planifikojnë ta dorëzojnë atë më 21 tetor te përfaqësuesit e qytetit të Cyrihut.
Për momentin, nuk ka një vendim përfundimtar për prishjen e ndërtesave, por banorët kërkojnë garanci për të ardhmen e tyre dhe kundërshtojnë një zhvillim që mund t’i detyrojë të largohen nga banesat ku kanë jetuar prej vitesh./Telegrafi/