Gjykata e Qarkut Wil, në kantonin St. Gallen, ka dënuar dy persona për përfshirje në më shumë se 30 raste vjedhjesh.
Përveç burgimit shumëvjeçar, ndaj tyre është shqiptuar edhe masa e dëbimit nga Zvicra.
Njëri prej dy personave të dënuar është një shtetas 43-vjeçar nga Kosova, ndërsa tjetri është shtetas slloven, raporton Albinfo.ch, transmeton Klan Kosova.
Sipas gazetës zvicerane “St. Galler Tagblatt”, të dy janë shpallur fajtorë në lidhje me një seri vjedhjesh të kryera në periudha të ndryshme, kryesisht në kantonin e Cyrihut dhe në rajonin e Wilit, transmeton albinfo.ch.
Rasti përfshin më shumë se 30 vjedhje, ndërsa njëra prej ngjarjeve që çoi në arrestimin e tyre kishte ndodhur në prill të vitit 2025, në Wil. Atëkohë, policia kantonale e St. Gallenit kishte arrestuar dy persona pasi ata kishin hyrë me forcë në një shtëpi private dhe kishin tentuar të hapnin një kasafortë./Klankosova.tv

