Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 1 mijë e 354 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë javës së kaluar, ndërsa 22 shoferëve u janë pezulluar patentë-shoferët për shkak të shkeljeve të rënda të rregullave të komunikacionit.
Sipas komunikatës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, të dhënat i referohen periudhës 7 deri më 13 shtator 2026.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 32 aksidente në rajonin e Ferizajt. Prej tyre, 17 aksidente kanë qenë me persona të lënduar, ku janë lënduar 28 persona, ndërsa 15 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet për parandalimin e aksidenteve në komunikacion do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.
Njëkohësisht, Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë apel të gjithë shoferëve që të jenë të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjeteve dhe të respektojnë rregullat e trafikut.
Policia ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar ata që të raportojnë kundërvajtjet në trafik përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose në numrin kujdestar 192. /Telegrafi/