Një avion pasagjerësh i kompanisë ajrore australiane Qantas është detyruar të ndërpresë udhëtimin dhe të kthehet në aeroportin e Melburnit, rreth katër orë pas nisjes drejt Dallasit në Shtetet e Bashkuara.
Bëhet fjalë për një avion të tipit Boeing 787-9 Dreamliner, i cili ishte nisur të shtunën nga aeroporti i Melburnit, por fluturimi u ndërpre pas raportimeve për gjetjen e disa mbetjeve në pistën nga ku ishte ngritur avioni.
Sipas uebsajtit të specializuar për aviacionin, Airlive, dyshohet se mbetjet e gjetura në pistë mund t’i përkisnin pikërisht avionit që po udhëtonte drejt SHBA-së, shkruan The Independent, transmeton IndeksOnline.
Pas këtij konstatimi, është marrë vendimi që avioni të kthehej në Melburn, si masë paraprake për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit.
Deri më tani, mbetet e paqartë se çfarë lloj mbetjesh janë gjetur dhe nëse ato kanë ardhur vërtet nga avioni në fjalë.

