Atmosfera në kampin e Real Madridit vazhdon të jetë e tensionuar, pasi mediat spanjolle raportojnë se brenda vetëm dy ditësh kanë ndodhur dy përleshje mes lojtarëve në stërvitje.
Sipas raportimeve, incidenti i parë ndodhi të mërkurën, kur Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni thuhet se “ishin pranë përplasjes fizike” gjatë seancës stërvitore.
Situata u përshkallëzua edhe më shumë të enjten, kur ndodhi një incident i dytë, i konsideruar më serioz.
Raportohet se Valverde pësoi një prerje gjatë përplasjes dhe u dërgua në spital për të marrë trajtim dhe qepje.
Pas ngjarjeve, drejtuesit e klubit organizuan një mbledhje emergjente me ekipin në qendrën stërvitore në Valdebebas.
Në takim mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i klubit, Jose Angel Sanchez, me synimin për të ulur tensionet brenda dhomave të zhveshjes.
Megjithatë, vëmendje të madhe ka marrë edhe sjellja e Kylian Mbappe pas përfundimit të mbledhjes.
Sulmuesi francez është filmuar nga emisioni sportiv El Chiringuito de Jugones duke u larguar nga qendra stërvitore duke qeshur me të madhe në makinën e tij.
Edhe pse momenti mund të mos ketë lidhje direkte me situatën, pamjet kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe te tifozët madrilenë.
Kjo nuk është hera e parë që Mbappe kritikohet ditët e fundit, sulmuesi francez kishte zemëruar një pjesë të tifozëve të Real Madridit pasi u pa duke u kthyer nga pushimet në Sardenjë me partneren e tij, aktoren Ester Exposito, vetëm 12 minuta para fillimit të ndeshjes së Real Madridit ndaj Espanyolit.
Ndërkohë, Mbappe vazhdon të mbetet në dyshim për përballjen e madhe ndaj Barcelonës në “El Clasico”, megjithëse testet e fundit mjekësore sugjerojnë se ai mund të jetë i gatshëm për sfidën e fundjavës. /Telegrafi/