Në zonën e Çakorrit, u mbajt një protestë paqësore nga banorë dhe aktivistë nga Peja, Plava dhe Gucia.
Me sloganin “Mjaft me izolim!”, protestuesit do të kërkojnë funksionalizimin e rrugës dhe hapjen e pikës kufitare në Çakorr, që do të mundësonte lidhje më të lehtë ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Organizatorët kanë theksuar se kërkesa për hapjen e kësaj pike kufitare është e kahershme dhe lidhet me lëvizjen e lirë dhe zhvillimin ekonomik të zonës.
Muhamet Nikqi, njëri nga organizatorët e protestës deklaroi se rëndësia e kësaj proteste është që të hapet kufiri në Çakorr dhe të funskionalizohet rruga.
Muhamet Nikqi
“Rëndësia e kësaj proteste është sot që të hapet një rruga, një pikë kufitare dhe bëhet rruga e kalueshme, e cila është e marume para njëqind vjetëve, në vitin njëmijë e nëntëqind e njëzet e pesë, ndërsa në vitin njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë është e mbyllë dhe nuk qarkullon, është krijuar një tampon te këto piramide që janë këtu afër sikur një mur i Berlinit”, tha ai.
Nikqi e sheh këtë pengesë sikurse një mur të Berlinit, që duhet të hiqet për t’u mundësuar banorëve nga të dyjat anët e kufirit një lëvizje më të lirë.
“Muri i Berlinit shekulli XXI, nëse kërkonin Ballkan, është pikërisht këtu te piramidat, gjithsesi me peticione në të gjitha rrugët ligjore.
Në qoftë se nuk aplikohen, atëherë na duhet të shohim si po shkon”, shtoi njëri ndër organizatorët e protestës.
Ndërsa, hoxha nga Gucia, Alen Shaboviq, deklaroi se do të vazhdojnë me protesta deri në hapjen e pikës kufitare.
“Unë kam dëshirë, t’i realizojmë protestat derisa të heqin këto piramida këtu dhe kurrë më mos të ekzistojë”, tha ai.
Ndërkohë, Telegrafi ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Infrastrukturës, por asnjëra prej tyre nuk ka pranuar te përgjigjet.
Telegrafi do të vazhdojë të raportojë për këtë situatë, ndërsa ju shikues dhe lexues mund të na shkruani edhe në lokale@telegrafi.com.