Matt Damon iu nënshtrua një transformimi gjashtëmujor të stilit të jetesës për t’u shndërruar në Odiseun legjendar në adaptimin e The Odyssey të Homerit, me regji nga Christopher Nolan.
Por aktori 55-vjeçar, i cili humbi peshë nga rreth 91 kilogramë në 76 kilogramë për këtë rol, zbuloi se një nga skenat ku shfaqen muskujt e tij në fakt u realizua nga dublantja e tij, Devyn Dalton.
“Kur xhiruam skenat me perspektivë të detyruar të Laestrygonëve, kishim disa dublantë që ishin rreth 2 metra të gjatë,” tha Damon në një intervistë për podkastin Happy Sad Confused, me moderatorin Josh Horowitz.
Laestrygonët janë një fis gjigantësh kanibalë që Odiseu dhe ekuipazhi i tij i hasin gjatë udhëtimit dhjetëvjeçar për t’u kthyer në Itakë.
Për të theksuar dallimin në përmasa mes gjigantëve dhe Odiseut, Christopher Nolan vendosi të përdorte një dublante femër për Matt Damon.
“Po ashtu kishim edhe dublantë që ishin nën 1.5 metra të gjatë, kështu që dublantja ime ishte një grua, një artiste dublantësh me krahët më mbresëlënës që kam parë ndonjëherë,” tha Damon.
Ai e lavdëroi Devyn Dalton duke kujtuar takimin e tyre të parë.
“Kur ajo hyri në tendën e ushqimit, ishte hera e parë që e takoja. Shkova, e përqafova dhe e falënderova për gjithë punën që kishte bërë.”
“Kështu që në ato skena të filmit ku shihni gjigantët që ngrihen mbi mua, në fakt është ajo.”
“Pra, pothuajse 100 për qind e kohës në film shihni krahët e mi, por kur meritat i takojnë dikujt tjetër, duhet t’ia japësh atij”.
Devyn Dalton e konfirmoi rolin e saj në film përmes një postimi në Instagram të hënën, ku publikoi disa fotografi nga xhirimet në Malësitë e Skocisë.
“Malësitë e Skocisë. The Odyssey. Çfarë aventure! Ende nuk mund të zbuloj asnjë detaj, por jam jashtëzakonisht mirënjohëse që isha pjesë e betejës me Laestrygonët, duke qenë dublantja e aktorit të mrekullueshëm Matt Damon.
“Ishte një punë e jashtëzakonshme ekipore. Punuan fort, qeshëm shumë dhe krijuam kujtime që nuk do t’i harroj kurrë. Pjesa më e bukur e këtij profesioni është se të jep mundësinë të udhëtosh në vende të reja dhe të njohësh njerëz të mrekullueshëm gjatë rrugës,” shkroi ajo.
