Matt Damon ka zbuluar se çfarë iu desh të bënte për të transformuar trupin e tij për rolin e Odiseut në filmin e ri të Christopher Nolan, The Odyssey.
Aktori 55-vjeçar udhëheq kastin e mbushur me yje të filmit, i cili do të dalë në kinema më 17 korrik.
Në një intervistë të re në podcastin Good Hang with Amy Poehler, Damon tregoi se iu desh të ndryshonte plotësisht stilin e jetesës për të humbur peshë, duke zbritur në rreth 76 kilogramë nga pesha e tij e zakonshme prej 84–91 kilogramësh. Sipas tij, Christopher Nolan donte që Odiseu të kishte një trup “të fortë dhe të dobët”.
“Është krejt ndryshe të ndërtosh muskuj në të 50-at. Është shumë e vështirë. Kërkon një ndryshim të plotë të stilit të jetesës,” tha ai.
“Mjafton t’i përkushtohesh plotësisht dhe kjo është e vetmja mënyrë. Gjithashtu hëngra më pak dhe hoqa glutenin nga dieta ime. Kjo ma ndryshoi jetën.”
Matt tha se vazhdon ta ndjekë edhe sot dietën pa gluten.
“Nuk e kuptoja sa shumë po ndikonte gluteni tek unë dhe në jetën time. Moskonsumimi i tij gjatë këtyre viteve të fundit ma ka ndryshuar plotësisht jetën.
Është pak e vështirë, sepse jam adhurues i madh i bukës, birrës, makaronave dhe picës, por mënyra se si ndihem tani është shumë më e mirë.”
Nën drejtimin e trajnerit Jason Walsh, programi i tij i stërvitjes përfshinte ushtrime me peshën e trupit dhe tërheqje në shufër me pesha shtesë.
Në film, Matt Damon interpreton mbretin grek të Itakës, Odiseun. Historia ndjek udhëtimin e tij të gjatë dhe të vështirë drejt shtëpisë pas Luftës së Trojës, me synimin për t’u ribashkuar me bashkëshorten dhe djalin e tij.
Duke folur për filmin, Damon tha:
“Ajo që më pëlqen më shumë te ky film dhe te skenari është se Christopher Nolan është një skenarist shumë i nënvlerësuar.
Mendoj se fakti që ai është një regjisor kaq brilant shpesh e lë në hije talentin e tij si shkrimtar. Nga ana tematike, ky film prek shumë çështje të rëndësishme.”
Ai shtoi se xhirimet ishin jashtëzakonisht sfiduese.
“Vështirësitë fizike gjatë realizimit të këtij filmi ishin të mëdha për të gjithë – për aktorët dhe gjithë ekipin. Ishte, pa dyshim, filmi më i vështirë që kam realizuar ndonjëherë, por në të njëjtën kohë ishte një përvojë e mbushur me gëzim.”
The Odyssey është pritur me vlerësime shumë pozitive nga kritikët pas premierës botërore të mbajtur të hënën në Londër.
Shumë kritikë nxituan ta cilësonin filmin e 13-të artistik të Christopher Nolan si “kinematografi të përkryer”, ndërsa lavdëruan edhe interpretimet e kastit të mbushur me emra të njohur.
Në këtë epope të re, Tom Holland interpreton Telemakun, princin e Itakës dhe djalin e Odiseut dhe Penelopës në mitologjinë greke.
