Analisti politik, Halil Matoshi ka vlerësuar se dobësimi i pushtetit të Aleksandar Vuçiqit në Serbi mund të sjellë zhvillime të rëndësishme për rajonin dhe Kosovën, por ka paralajmëruar se ndryshimi i përbërjes politike nuk nënkupton domosdoshmërisht çmontimin e sistemit të ndërtuar ndër vite nga presidenti serb.
Në një prononcim për Lajmi.net, Matoshi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Serbi, ku Lista e Studentëve ka shënuar fitore, ndërsa partia e Vuçiqit ka pësuar humbje.
Sipas tij, edhe nëse Vuçiqi e humb ndikimin politik, sistemi që ai ka ndërtuar nuk dobësohet menjëherë.
Matoshi ka shprehur rezerva edhe për orientimin politik të Listës së Studentëve, duke vlerësuar se mbetet e paqartë nëse ajo do të sjellë ndryshime thelbësore në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.
“Rënia e autokratit popullist Vuçiqit është lajm i mirë për rajonin porse, kjo nuk e dobëson shpejt sistemin e ndërtuar nga ai, sepse Lista e Studentëve qëndron në politikat klerofashiste të krijuara nga Vuçiqi karshi Kosovës, përkatësisht brenda Kushtetutës ekspansioniste të Serbisë”, ka thënë Matoshi.
Ai ka vlerësuar se në skenën politike serbe mungon një opozitë demokratike e konsoliduar, ndërsa pakicat kombëtare, përfshirë shqiptarët, hungarezët dhe myslimanët, do të përballen me sfida në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të tyre.
Tri zhvillime që mund të kenë ndikim në Kosovë
Matoshi ka identifikuar tri zhvillime që, sipas tij, mund të kenë ndikim pozitiv për Kosovën pas zgjedhjeve në Serbi.
Së pari, ai ka përmendur moskalimin e pragut zgjedhor nga Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e udhëhequr nga Ivica Daçiq, të cilën e ka lidhur me trashëgiminë politike të Slobodan Millosheviqit.
Së dyti, analisti ka thënë se dobësimi i ndikimit të Vuçiqit në Beograd mund të krijojë hapësirë për ndryshime në skenën politike të komunitetit serb në Kosovë, përfshirë zvogëlimin e ndikimit të Listës Serbe dhe shpërndarjen e votave te partitë e tjera serbe.
Sipas Matoshit, një zhvillim i tillë mund të krijojë mundësi për demokratizimin e përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë.
Së treti, ai ka përmendur mundësinë që pushteti i ri në Serbi të ndërmarrë hapa drejt Bashkimit Evropian, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dëshmi të orientimit të tij politik drejt Perëndimit.
Çfarë pritet nga përfaqësuesit shqiptarë në Serbi?
Duke folur për pozitën e shqiptarëve në Serbi, Matoshi ka kujtuar se në vitin 2020 shqiptarët kishin tre deputetë, por ka vlerësuar se mundësitë për të ndikuar në reforma të mëdha ishin të kufizuara për shkak të sistemit politik autoritar.
Ai ka theksuar se mbrojtja e interesave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të varet edhe nga orientimi që do të zgjedhë Lista e Studentëve në raport me Rusinë dhe Perëndimin.
“Më 2020 shqiptarët patën 3 deputetë por në një shtet autoritar pak mund të arrihej. Tash interesat e shqiptarëve do të varen edhe nga kursi që do ta mbajë Lista e Studentëve: Me Rusinë ose Perëndimin”, ka theksuar ai për lajmi.net
Në fund, Matoshi ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë forcimin e shtetit dhe të mbajë orientimin e saj të qartë euroatlantik.
“Kosova duhet ta ndërtojë shtetin e fortë dhe të jetë në rresht me aleatët e saj perëndimorë, SHBA dhe BE, pa mëdyshje, e kjo do të jetë mbështetja më e madhe për Luginën”, ka deklaruar Matoshi./Lajmi.net/

