Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka takuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e sigurisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale të sigurisë në nivel global dhe evropian, si dhe për avancimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Maqedonci e njoftoi homologun polak për situatën e sigurisë në Kosovë dhe përparimin e arritur në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, veçanërisht mundësive për bashkëprodhim, si një fushë me potencial për zgjerimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Polonisë.
Gjatë takimit, Maqedonci shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë për sigurinë e Kosovës gjatë 27 viteve të fundit, si dhe për kontributin e ushtarakëve polakë në kuadër të misionit të KFOR-it.
Ministria e Mbrojtjes theksoi se Kosova dhe Polonia vazhdojnë bashkëpunimin në çështje me interes të përbashkët në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me synimin e avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. /Zëri
