Klubet rivale të Manchester Cityt po kërkojnë një dënim shumë më të ashpër sesa vetëm një sezon rënie nga Liga Premier, pasi një komision i pavarur e shpalli klubin fajtor për një “skemë të kamufluar financimi”, e cila dyshohet se kishte fryrë të ardhurat me rreth 1.053 miliardë euro gjatë periudhës 2009-2018.
Sipas The Guardian, disa klube të Ligës Premier besojnë se një sezon në Championship nuk do të ishte dënim i mjaftueshëm për shkeljet e konstatuara.
“Rënia në Championship për një sezon do të ishte e pamjaftueshme. Komisioni duhet të arrijë në një dënim që është proporcional me vite të tëra mashtrimi të qëllimshëm dhe të vazhdueshëm, si dhe të shërbejë si një pengesë e fortë që diçka e tillë të mos përsëritet”, ka thënë një burim i një klubi për gazetën britanike.
Vendimi për sanksionin përfundimtar pritet pas përfundimit të procesit të apelimit nga Manchester City.
Një seancë për përcaktimin e dënimit është paraparë të zhvillohet më vonë, ndërsa vendimi pritet deri në fund të janarit. Megjithatë, City mund të tentojë ta shtyjë edhe më tej procesin duke kundërshtuar afatet e përshpejtuara të vendosura nga Liga Premier.
Në ndërkohë, Manchester United, Arsenal, Tottenham dhe Liverpool kanë rezervuar të drejtën për të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Cityt për dëme të mundshme financiare.
Ky precedent lidhet me rastin e Burnleyt, i cili fitoi një dëmshpërblim prej rreth 41 milionë eurosh ndaj Evertonit për shkeljen e rregullave të Profitit dhe Qëndrueshmërisë Financiare (PSR)./Telegrafi/