Manchester City mund të përballet me një rënie dramatike në hierarkinë e futbollit anglez, nëse përjashtohet nga Liga Premier dhe më pas EFL refuzon ta pranojë klubin në Championship apo në ndonjë prej kategorive të tjera të saj.
Kështu ka deklaruar gazetari i talkSPORT, Ben Jacobs, i cili ka raportuar se Manchester City mund të përballet me një ndëshkim të paprecedentë pas çështjes së akuzave financiare.
City raportohet se është shpallur fajtor për 114 nga 115 akuzat financiare të ngritura nga Liga Premier. Klubi pritet të apelojë vendimin, por fillimisht duhet të presë përcaktimin e sanksioneve përfundimtare.
Një sërë dënimesh mbeten të mundshme, duke përfshirë një gjobë të konsiderueshme, zbritje pikësh, përjashtim nga Liga Premier dhe potencialisht edhe heqjen e titujve të fituar gjatë periudhës që mbulohet nga çështja.
Megjithatë, redaktori sportiv i BBC-së, Dan Roan, ka raportuar se heqja e titujve të mëparshëm nuk konsiderohet aktualisht si skenari më i mundshëm.
“BBC Sport është informuar se ka pasur pak mbështetje brenda Liges Premier – si nga organizata, ashtu edhe nga klubet – për heqjen e titujve të mëparshëm të Cityt”.
Roan ka shtuar se çështja ende nuk është përfunduar, pasi një panel i pavarur duhet të zhvillojë seancën për përcaktimin e sanksionit.
“Jo plotësisht, pasi vendimi do të merret nga një panel i pavarur, i cili ende nuk ka zhvilluar seancën për sanksionin. Kjo do të thotë se nuk mund të përjashtohet, megjithëse një zbritje pikësh, një gjobë e madhe ose ndoshta edhe përjashtimi nga Premier konsiderohen më të mundshme”.
Jacobs tani ka pretenduar se Liga Premier po kërkon një ndëshkim të paprecedentë, me një zbritje shumë të madhe pikësh ose edhe relegimin e Manchester Cityt ndër opsionet që po shqyrtohen.
Më e rëndësishmja, ai pretendon se EFL mund të refuzojë ta pranojë Cityn nëse klubi përjashtohet nga Premier League.
“Kuptimi im është se Liga Premier ka kërkuar një zbritje të konsiderueshme, rekord, të paprecedentë dhe të rëndë pikësh, madje edhe që Manchester City të relegohet”.
“Gjithashtu mund t’ju them ekskluzivisht se, nëse Manchester City përjashtohet nga Liga Premier, EFL planifikon ta lexojë vendimin dhe është e gatshme, në shenjë solidariteti, të mbështesë qëndrimin e Liges Premier dhe të përpiqet ta mbajë Manchester Cityn jashtë edhe EFL-së”.
Një skenar i tillë do ta linte Manchester Cityn përballë një problemi të jashtëzakonshëm, pasi relegimi nga Liga Premier normalisht do të nënkuptonte kalimin në Championship.
Por, nëse EFL do të refuzonte pranimin e Cityt në Championship, League One apo League Two, klubi potencialisht mund të detyrohej të zbriste deri në National League, niveli i pestë i futbollit anglez.
Jacobs e ka përshkruar këtë si një “skenar apokaliptik” dhe ka paralajmëruar se Manchester City mund të përfundojë potencialisht jashtë strukturës së futbollit profesionist anglez.
“Pra, ekziston rreziku që, në një skenar apokaliptik, Manchester City të përjashtohet plotësisht nga futbolli”.
Megjithatë, dënimi përfundimtar ende nuk është përcaktuar dhe Manchester City synon të apelojë vendimin pasi të njoftohet zyrtarisht për sanksionet. /Telegrafi/