KORREKT / SOT19 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Mali i Zi mbyll edhe dy kapituj të tjerë në negociatat për anëtarësim në BE, shpreson për anëtarësim deri në 2028

Mali i Zi mbyll edhe dy kapituj të tjerë në negociatat për anëtarësim në BE, shpreson për anëtarësim deri në 2028

Mali i Zi ka mbyllur sot edhe dy kapituj të tjerë në negociatat me Bashkimin Evropian, gjatë Konferencës Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel.

Bëhet fjalë për kapitullin 16 – Tatimet dhe kapitullin 22 – Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore.

Me këtë rast, Mali i Zi ka mbyllur gjithsej 25 kapituj negociues, ndërsa në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE i mbeten edhe tetë kapituj të tjerë.

Synimi i Malit të Zi është që deri në fund të vitit t’i mbyllë edhe kapitujt e mbetur, në mënyrë që të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.

Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane i Irlandës, Tomas Birn, tha në konferencën për media se kjo dëshmon se Mali i Zi po i afrohet gjithnjë e më shumë qëllimit të tij – anëtarësimit në BE.

Ai pret që Mali i Zi t’i mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së, përkatësisht deri në fund të këtij viti.

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, tha se janë dorëzuar të gjitha pozicionet negociuese për kapitujt e mbetur dhe shprehu besimin se ata do të mbyllen deri në fund të këtij viti, në mënyrë që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se Mali i Zi tani renditet në vendin e tretë për nga numri i kapitujve të mbyllur brenda një viti në historinë e procesit të negociatave për anëtarësim në BE, pas Lituanisë dhe Letonisë. Ajo shtoi se ekziston një mundësi e madhe që Mali i Zi t’i tejkalojë edhe këto dy shtete.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me mosmarrëveshjen dypalëshe mes Malit të Zi dhe Kroacisë, Kos tha se shpreson që ajo të zgjidhet.

Ajo theksoi se trajtimi i çështjeve dypalëshe në kuadër të procesit negociues nuk është diçka e re dhe se raste të tilla kanë ndodhur edhe më parë.

“Shpresoj që Mali i Zi dhe Kroacia të arrijnë t’i zgjidhin çështjet dypalëshe”, tha ajo.

Gorçeviq tha se me Kroacinë po zhvillohet dialog, disa çështje tashmë janë zgjidhur, ndërsa për të tjerat ende po tentohet të gjendet një zgjidhje.

“Ne po vazhdojmë dialogun me Kroacinë. Nëse nuk arrijmë të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për kufirin, do t’i drejtohemi gjykatës ndërkombëtare”, tha Gorçeviq.

Kos tha se mënyra se si të dyja shtetet do t’i zgjidhin çështjet e hapura është në dorën e Kroacisë dhe Malit të Zi.

“Nuk e di nëse do të vendosin për arbitrazh. Nëse vendosin për këtë, të gjithë do ta ndjekim atë proces. Është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje që do t’i mundësojë Malit të Zi të mbyllë kapitujt negociues. Pra, është e mundur çdo zgjidhje për të cilën pajtohen Mali i Zi dhe Kroacia”, tha Kos.

Gorçeviq tha se Mali i Zi i pranon parimet e Badinterit dhe respekton integritetin territorial të Kroacisë.

“Nga këndvështrimi ynë, bëhet fjalë për komunikim dhe dialog të vazhdueshëm ndërmjet dy shteteve. Qëndrimi ynë është se duam ta zgjidhim si çështjen e kufirit detar, ashtu edhe atë të kufirit tokësor. Do të shohim se si do të zhvillohen negociatat dhe bisedimet”.

Ajo shtoi se Kroacia sot i ka dhënë dritën e gjelbër Malit të Zi për mbylljen e edhe dy kapitujve negociues, duke theksuar se komunikimi ekziston në të gjitha nivelet.

“Jam e sigurt se në të ardhmen do të gjejmë një zgjidhje që do të jetë shumë e mirë për të dyja palët”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur pyetjes se cili është plani B nëse Mali i Zi nuk arrin t’i mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të vitit, Birn tha se është arritur shumë më tepër sesa pritej.

“Po, kemi vendosur një objektiv ambicioz, por nuk e dinim se çfarë ishte e mundur, pasi gjërat ndryshojnë vazhdimisht. Në Podgoricë dhe në të gjithë Malin e Zi po bëhen përpjekje të mëdha për ta përfunduar këtë punë. Shumë punë po bëhet edhe në shtetet anëtare. Pra, është e mundur të arrihet ky objektiv dhe ne duam që kjo të ndodhë”.

Ai shtoi se nuk kanë një plan tjetër përveç përfundimit të këtij procesi, pasi presidenca irlandeze e BE-së zgjat vetëm deri në fund të këtij viti.

“Sigurisht, nuk do të ishte fundi i botës nëse nuk arrijmë t’i përfundojmë të gjitha. Por duam të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur. Ne e konsiderojmë këtë një prioritet të vërtetë kombëtar, sepse zgjerimin e kemi konsideruar gjithmonë një nga prioritetet kryesore të Irlandës. Gjithmonë kemi dashur t’u mundësojmë shteteve të tjera, të cilat e kanë kryer pjesën e tyre të punës dhe i kanë përmbushur kriteret, që t’i gëzojnë përfitimet e zgjerimit, ashtu siç i kemi gëzuar edhe ne”, tha ai.

Kos tha se nëse realizohet ajo që të gjithë shpresojnë – që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028 – kjo do të nënkuptojë se ndërmjet zgjerimit të fundit dhe atij të ri do të kenë kaluar 15 vjet.

“Asnjëherë më parë intervali ndërmjet dy zgjerimeve nuk ka qenë kaq i gjatë. Ndoshta edhe kjo është një motiv shtesë për të gjithë ne që të punojmë shumë në këtë proces”, theksoi ajo.

Gorçeviq deklaroi se Mali i Zi, si shtet, është shumë i motivuar për t’i mbyllur të gjithë kapitujt negociues deri në fund të këtij viti.

“Sa i përket përgjegjësisë së Qeverisë, ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret. Tani kjo vërtet është më shumë në duart e Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare. Megjithatë, ne besojmë në planin A. Shohim shumë njerëz që po punojnë pa u lodhur në të gjithë kapitujt negociues”, përfundoi ajo.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.