Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit, përfshirë përdorimin më të shpeshtë të votimit me shumicë të kualifikuar në disa faza të negociatave të anëtarësimit, ndërsa Kosovës i është bërë thirrje që t’i marrë seriozisht reformat socio-ekonomike dhe të përfshihet në Planin e Rritjes.
Këto mesazhe i përcolli Marko Makovec, këshilltar kryesor për Pajtimin dhe Normalizimin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DG ENEST) të Komisionit Evropian, në fjalimin kryesor në Samitin e Paqes dhe Demokracisë në Kosovë, që këtë vit mbahet me temën “Epoka e Entropisë”.
Makovec foli për ndryshimet në kontekstin gjeopolitik, sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian dhe rëndësinë e zgjerimit si pjesë e përgjigjes ndaj zhvillimeve të reja politike. Ai theksoi se BE-ja po hyn në një periudhë ku kërkohet veprim më i shpejtë dhe më vendimtar, ndërsa procesi i zgjerimit mbetet i lidhur me respektimin e vlerave evropiane, sundimin e ligjit dhe rezultatet konkrete të vendeve kandidate.
“Kjo është një mundësi për t’ju drejtuar juve, për të diskutuar në këtë moment mjaft të rëndësishëm rreth diçkaje që besoj se është një çështje vendimtare jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Bashkimin Evropian. Dhe do të donja ta nisja ndërhyrjen time duke thënë se Bashkimi Evropian është në lëvizje. Kjo nuk është thjesht një fjalë apo një frazë, por është një proces që po e përcaktojmë pikërisht tani dhe që do ta udhëheqim në javët dhe muajt në vijim”, deklaroi Makovec.
Ai vlerësoi se ky proces po zhvillohet në një mjedis të ndërlikuar ndërkombëtar, ku besimi po sfidohet, ndërsa po shfaqen forca politike që, sipas tij, po rikthehen te modelet e vjetra dhe mitet nacionaliste. Makovec u ndal edhe te brezi i ri, duke theksuar se të rinjtë janë më të ekspozuar ndaj trendeve globale përmes rrjeteve sociale dhe burimeve të ndryshme të informacionit, gjë që po ndikon edhe në zhvillimet politike.
“Kjo lëvizje po ndodh në një mjedis gjeopolitik mjaft kompleks, ku ka entropi, ku besimi po vihet në dyshim dhe po sfidohet në të gjithë botën — diçka që të gjithë mund ta përjetojmë në jetën tonë të përditshme, diçka që mund ta shohim si pamje në televizion, por edhe ta ndiejmë në jetët tona, sa i përket ekonomisë, por edhe politikës e çështjeve të tjera. Po shfaqen forca të reja politike, disa prej të cilave po u kthehen modeleve të vjetra dhe miteve të vjetra nacionaliste — diçka që nuk është e mirë për të ardhmen tonë, por kjo është realiteti. Dhe pastaj kemi një dukuri të re: brezin e ri, le ta quajmë Brezi Z (Generation Z), megjithëse është një shprehje amerikane dhe jo aq evropiane, por mund të përcaktojmë një brez të caktuar”, tha ai.
Duke folur për ndikimin e brezit të ri në zhvillimet politike, Makovec tha se të rinjtë i ndiejnë trendet globale më drejtpërdrejt se gjeneratat e mëparshme, përmes rrjeteve sociale, literaturës dhe prirjeve që ndjekin. Sipas tij, ky fenomen po vërehet në vende të ndryshme dhe duhet të merret parasysh nga udhëheqësit evropianë gjatë procesit të vendimmarrjes.
“Ky është brezi që është bërë vërtet global dhe i ndien trendet globale shumë më tepër se unë (që jam tashmë mjaft i vjetër) apo se brezat e mëparshëm, ata që tani janë në pozita qeverisëse. Ata i ndiejnë këto trende globale shumë më tepër përmes rrjeteve sociale, përmes literaturës që lexojnë apo përmes trendeve që ndjekin. Dhe kjo është diçka që mund ta shohim në rrugët e Brazilit, në rrugët e Parisit, por edhe në Tiranë. Është diçka që duhet ta pranojmë të gjithë. Po e them këtë sepse e gjitha kjo po ndikon në procesin e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian dhe po i detyron udhëheqësit tanë të veprojnë më me vendosmëri dhe më shpejt”, u shpreh Makovec.
Ai tha se kjo qasje e re po reflektohet në fusha të ndryshme të politikave të BE-së, përfshirë thjeshtimin e tregut të përbashkët dhe mbrojtjen, por theksoi se zgjerimi mbetet një nga çështjet kryesore. Në këtë kontekst, ai iu referua komunikatës së Komisionit Evropian të 6 tetorit, e cila, sipas tij, përmban propozime të rëndësishme për kapacitetet e BE-së për zgjerim dhe për mënyrën se si mund të përparojë procesi.
“Ne po e bëjmë këtë në thjeshtimin e tregut të përbashkët, po e bëjmë në mbrojtje, por do të doja të përqendrohesha pak më shumë te zgjerimi, ku në fakt procesi është gjithashtu në vazhdim e sipër. Dhe vetëm dje, udhëheqësit diskutuan — fillimisht e morën parasysh, por më pas diskutuan — diçka që e shoh mjaft të rëndësishme: komunikatën e Komisionit Evropian të datës 6 tetor”, tha ai.
Sipas Makovecit, një nga elementet kryesore të komunikatës është pranimi se Bashkimi Evropian ka kapacitet për t’u zgjeruar, por se ky proces kërkon përgatitje të politikave, buxhetit dhe mekanizmave të qeverisjes, në mënyrë që një Union më i madh të mbetet funksional dhe të jetë në gjendje t’i mbrojë vlerat e tij.
“Në këtë komunikatë ka disa elemente shumë të rëndësishme. Së pari, njohja e faktit se Bashkimi Evropian ka kapacitete për t’u zgjeruar. Ne e kemi dëshmuar këtë, si dhe kemi treguar politikat që duhet të fuqizojmë për të siguruar buxhet të mjaftueshëm, politika të mjaftueshme dhe qeverisje për zgjerimin e ardhshëm, me qëllim që të jemi më të gjerë, ta bëjmë Bashkimin Evropian më të madh, më të gjerë, por ende mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur vlerat tona dhe për t’u përballur me tensionet me të cilat po ndeshemi”, deklaroi Makovec.
Ai theksoi se zgjerimi nuk nënkupton vetëm rritjen e numrit të vendeve anëtare, por edhe ruajtjen e parimeve themelore mbi të cilat funksionon Bashkimi Evropian. Sipas tij, respektimi i të drejtave themelore, vlerave evropiane dhe sundimit të ligjit duhet të mbetet kusht thelbësor për vendet që synojnë anëtarësimin.
“Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e të drejtave fundamentale, të vlerave tona evropiane dhe të sundimit të ligjit. Ky është Neni 2 i Traktatit. Këtë herë pas here e quajmë ‘ngjitësin’ e të gjithë Bashkimit Evropian, dhe ai duhet të jetë gjithashtu ngjitës për të gjitha vendet e tjera kandidate apo vendet me aspirata që ndjekin rrugën evropiane. Sundimi i ligjit do të thotë jo vetëm zbatim i plotë i legjislacionit apo pavarësi e gjyqësorit, por edhe respektim i plotë i vendimeve vendore dhe ndërkombëtare”, tha ai.

