Një makinë-bombë shpërtheu përpara një stacioni policie në Meksikë, duke plagosur gjashtë persona.
Shpërthimi ndodhi në qytetin Ojocaliente në Zacatecas, një shtet me rrugë kyçe për trafikimin e drogës.
“Eksplozivi u vendos në një automjet privat dhe shkaktoi dëme fizike në stacion dhe pronat që ndodheshin aty pranë”, tha sekretari i qeverisë së shtetit, Rodrigo Reyes.
“Raportohet se gjashtë civilë janë plagosur, të cilët po marrin kujdes mjekësor”, shtoi ai.
Zacatecas është një zonë kyçe për tregtinë e drogës sepse lidh Meksikën qendrore me veriun dhe perëndimin e vendit dhe përmban rrugë që janë çelësi për kontrabandën e kokainës dhe narkotikëve të tjerë në Shtetet e Bashkuara.
Dhuna e tmerrshme e shkaktuar nga droga e ka rënduar shtetin për vite me radhë, me trupa që shfaqeshin dhe njerëz të zhdukur pothuajse çdo ditë, derisa u vendos qetësia relative.
Por në korrik, pesë trupa u shfaqën të varur nga një urë në qytetin Pozos de Gamboa, rreth 75 kilometra nga Ojocaliente.
Viktimat përfshinin një ish-kryetar bashkie, nëpunës civilë dhe biznesmenë nga pjesë të tjera të shtetit.
