Nëse e dëshironi këtë mace, ju pret një provë serioze: Për të, shumë adhurues presin me vite
Pamja e saj të magjeps në shikim të parë, por para se ta merrni në shtëpi duhet të dini pse veterinerët janë të shqetësuar
Lambkin, e njohur edhe si Nanus Rex, është një racë jashtëzakonisht e rrallë macesh, e cila tërheq vëmendjen me pamjen e saj të pazakontë. Ajo është krijuar nga kryqëzimi i maces Munchkin, e njohur për këmbët e shkurtra, me Selkirk Rex, racë që dallohet për qimen kaçurrele dhe të butë.
Pikërisht për shkak të kësaj qimeje të veçantë, që ngjan me leshin e një qengji të vogël, raca ka marrë emrin Lambkin. Kjo mace zakonisht arrin lartësi rreth 18 deri në 20 centimetra dhe peshon afërsisht 2 deri në 4 kilogramë. Jetëgjatësia e saj llogaritet rreth 12 deri në 15 vjet.
Lambkin përshkruhet si mace e qetë, e butë, e dashur dhe miqësore. Ajo përshtatet mirë me familjet, me fëmijët dhe me kafshët e tjera shtëpiake. I do njerëzit, pëlqen përkëdheljet dhe zakonisht krijon lidhje të fortë me pronarin.
Megjithatë, kush dëshiron ta ketë një mace të tillë duhet të përgatitet për pritje të gjatë. Për shkak të rrallësisë së racës dhe debateve rreth shumimit të saj, gjetja e një koteleje Lambkin mund të zgjasë me vite. Jo të gjithë mbarështuesit janë të gatshëm ta rrisin këtë racë, pikërisht për shkak të shqetësimeve shëndetësore që lidhen me prejardhjen nga Munchkin.
Këmbët e shkurtra e bëjnë Lambkin më të kufizuar në kërcime krahasuar me macet e tjera. Për këtë arsye, duhet pasur kujdes nëse në shtëpi ka qen të mëdhenj ose shumë të gjallë, sepse loja e ashpër mund ta lëndojë lehtë.
Sa i përket ushqimit, Lambkin nuk ka kërkesa shumë të ndryshme nga macet e tjera. Ajo ka nevojë për ushqim cilësor, të pasur me proteina, ku mishi të jetë përbërësi kryesor. Nëse ka alergji apo nevoja të veçanta ushqimore, këshilla e veterinerit është e domosdoshme.
Kjo mace është inteligjente dhe mund të mësojë shpejt përdorimin e kutisë së rërës, lojëra të thjeshta dhe disa truke. Megjithatë, si shumica e maceve, edhe ajo vetë “vendos” kur do të bindet.
Kujdes i veçantë kërkon edhe qimet e saj kaçurrele. Për të shmangur ngatërrimin e tyre, rekomandohet krehje e përditshme, por me butësi, sepse qimet mund të jenë delikate.
Ana më e diskutueshme e racës lidhet me shëndetin. Shumë veterinerë shprehin shqetësim për xhuxhizmin e trashëguar nga Munchkin, sepse ky mutacion mund të shoqërohet me probleme serioze. Ndër gjendjet që përmenden janë osteoartriti, sëmundjet e traktit urinar, lordoza, deformimet e kraharorit, hipertiroidizmi, pankreatiti dhe probleme të tjera më të rënda.
Për këtë arsye, para se dikush të vendosë ta marrë një Lambkin, duhet të informohet mirë, të kërkojë të dhënat shëndetësore të prindërve dhe të zgjedhë vetëm mbarështues të përgjegjshëm. Pamja e saj e ëmbël mund të jetë magjepsëse, por vendimi për ta mbajtur një mace të tillë kërkon kujdes, përgjegjësi dhe vetëdije për rreziqet e mundshme. /Telegrafi/
