Babai i Alexis Mac Allister, Carlos, ka hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm të mesfushorit nga Liverpooli, duke theksuar se klubi anglez ka të drejtë të mos e rinovojë ende kontratën e tij.
Mac Allister ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2028, ndërsa së fundmi kishte shprehur zhgënjimin e tij për faktin se nuk kishte marrë një ofertë të re, ndryshe nga disa prej lojtarëve që iu bashkuan klubit në vitin 2023, përfshirë Dominik Szoboszlain dhe Ryan Gravenberch.
Megjithatë, babai i argjentinasit ka bërë të qartë se familja e tij nuk po kërkon të krijojë presion mbi drejtuesit e Liverpoolit.
“Askush nga drejtuesit e Liverpoolit nuk na ka kontaktuar ende për rinovimin e kontratës. Ne kemi një kontratë që është ende në fuqi dhe jemi të përkushtuar ndaj saj me Liverpoolin”.
“Nëse klubi nuk ofron rinovim të kontratës, kjo është e drejta e tyre”, ka deklaruar Carlos Mac Allister për 365 Scores.
Ai gjithashtu ka mohuar kategorikisht zërat që e lidhin djalin e tij me një transferim te Real Madridi.
“Askush nga Real Madridi nuk na ka kontaktuar në asnjë moment gjatë gjithë karrierës së Alexis”, ka shtuar ai.
Mac Allister ka qenë në formë të mirë në ndeshjet e fundit, duke shënuar dy gola në dy paraqitjet e tij të fundit si titullar.
Argjentinasi pritet të jetë në dispozicion edhe për ndeshjen e radhës të Liverpoolit, që të dielën pret Bournemouthin në ‘Anfield’.
Me kontratën aktuale që skadon në vitin 2028, e ardhmja e Mac Allister në Liverpool mbetet e lidhur me klubin, pavarësisht spekulimeve të fundit për një rinovim apo një largim të mundshëm. /Telegrafi/