Krijuesi i “Yellowstone”, Taylor Sheridan, po përballet me një padi të bujshme nga skenaristja Lauren J.
Salkin, e cila pretendon se ai ka përdorur idenë e saj për të krijuar serialin e famshëm televiziv me protagonist Kevin Costner.
Salkin ka ngritur padinë për shkelje të të drejtave të autorit në një gjykatë federale në Kaliforni, duke përfshirë si të pandehur Sheridan, kompaninë e tij të menaxhimit Elevate Entertainment, si dhe Paramount dhe NBCUniversal, shkruan DailyMail.
Sipas padisë, Salkin kishte prezantuar në fund të vitit 2016 dhe fillim të vitit 2017 një projekt televiziv të titulluar “Sovereign Nation”.
Ajo e përshkruan atë si një dramë që trajtonte qeverisjen fisnore, fuqinë ekonomike të kazinove, tokën dhe konfliktet që lidhen me zhvillimin.
Shkrimtarja pretendon se projekti iu refuzua nga përfaqësuesit e Sheridan, të cilët në shkurt 2017 i thanë se ai nuk ishte i disponueshëm për projekte televizive.
Megjithatë, Salkin pretendon se vetëm disa muaj më vonë Paramount i dha dritën jeshile “Yellowstone”, duke pretenduar se seriali kishte ngjashmëri të shumta me projektin e saj, përfshirë elemente të historisë, personazheve dhe konfliktit qendror.
Ajo thotë gjithashtu se një drejtues i lartë krijues në HBO, pasi pa të dy projektet, kishte vënë re ngjashmëritë dhe kishte ndërprerë një projekt të Sheridan.
Avokati i Salkin, Paul B. Lackey, e ka cilësuar çështjen si një përballje “David kundër Goliath”, duke deklaruar se klientja e tij kishte kaluar vite duke ndërtuar historinë që, sipas saj, më pas u shndërrua në një prej sukseseve më të mëdha televizive.
Padia pretendon se universi i “Yellowstone”, përfshirë serialet spin-off, ka gjeneruar miliarda dollarë, ndërsa Salkin nuk ka përfituar asgjë.
Padia vjen vetëm pak ditë pasi u raportua anulimi i një prej projekteve të shumëpritura të lidhura me universin e “Yellowstone”.
Sheridan dhe kompanitë e përmendura në padi nuk kanë dhënë ende një reagim publik ndaj akuzave. /Telegrafi/
