Rreth 4 kilometra pasi lë Tepelenën në rrugën kombëtare drejt Gjirokastrës kthesa e fshatit Luzat të fton të hysh në parajsë natyrore në një nga zonat e paeksploruara por të mahnitshme të vendit.
Pjesa historike e fshatit me shtëpi të vjetra por shumë piktoreske vendosur në këmbën e maleve mbi 1500 metër, me pyje e përrenj, tashmë ka vetëm pesë shtëpi të banuara vetëm me të moshuar, pasi pjesa tjetër është zhvendosur në emigrim ose drejt qyteteve të afërt e Tiranës.
Shtëpitë janë të mëdha, me oborre me pjergulla, pemë frutore, ndërsa pulat dhe kafshët e tjera shtëpiake enden të lira nëpër rrugët e fshatit.
Banorët e mbetur janë shumë mikpritës. Një grua hap dyert sapo i kërkojmë nëse mund të mbushim ujë përpara se të nisemi për në Majën e Buzë Bredhit në malësinë sipër fshatit. Ajo jeton aty me bashkëshortin ndërsa fëmijët ndodhen në emigracion.

