Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka ngritur shqetësimin për rrezikun e dështimit të organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke fajësuar institucionet për mos përmbushjen e obligimeve të tyre.
Në një deklarim në Kuvendin e Kosovës, Lushaku ka thënë se për shkak të papërgjegjësisë institucionale po rrezikohet një projekt i rëndësishëm për zhvillimin sportiv, ekonomik dhe turistik të vendit.
Ajo ka bërë të ditur se një takim që ishte paraparë të mbahej në Athinë, ku do të përcaktoheshin përgjegjësitë për organizimin e lojërave, është anuluar.
“Sot është dashur të mbahet një takim në Athinë, ku do të definoheshin përgjegjësitë, por ai është anuluar. Komiteti Olimpik i Kosovës ka ngritur shqetësimin se si institucionet tona nuk i kanë përmbushur obligimet”, ka deklaruar Lushaku.
Sipas saj, organizimi i Lojërave Mesdhetare do të ishte një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën, duke sjellë investime në infrastrukturën sportive, zhvillim ekonomik dhe promovim ndërkombëtar të vendit.
“Imagjinojeni një projekt të fituar me të drejtë për ta kthyer Kosovën në një qendër ku mijëra sportistë, të rinj e të reja do ta kthenin Kosovën në qendër turistike, me shumë investime në salla sportive dhe qendra sportive, por që sot rrezikohet”, ka thënë ajo.
Lushaku ka kritikuar institucionet për mungesën e përgjegjësisë në përmbushjen e kritereve të nevojshme, duke theksuar se kjo mundësi nuk duhet të humbet për shkak të neglizhencës institucionale.
Ajo ka përmendur edhe deklarimet e kryeministrit në Paris, rreth rolit të Francës në Lojërat Mesdhetare, duke ngritur pyetjen se kujt i takon përgjegjësia për përmbushjen e obligimeve.
“Kryeministri para dhjetë ditësh në Paris ka përmendur Francën dhe rolin e saj në Lojërat Mesdhetare, por nuk kuptohet përgjegjësi e kujt është të plotësohen këto kritere”, është shprehur ajo.
Në fund, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin veprime konkrete për të mos e humbur këtë mundësi.
“Ne nuk duhet t’ua humbim këtë mundësi të rinjve, bumin ekonomik që Kosova mund ta kishte në vitin 2030 dhe investimet kapitale. I bëj thirrje institucioneve të mos e humbin këtë mundësi të artë”, ka përfunduar Lushaku. /Lajmi.net/

