Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka bërë një ndryshim të rëndësishëm në bizneset e tij private, duke u larguar nga posti i administratorit të kompanisë së tij të pasurive të paluajtshme, me seli në Spanjë.
Në vend të tij, drejtimin e kompanisë e ka marrë bashkëshortja e tij, Elena Cullell, e cila ka përgatitje në ekonomi dhe njohuri në sektorin e patundshmërive.
Bëhet fjalë për kompaninë Lupasi Gestión Empresarial S.L., e njohur më parë si Patrimonial Lupasi S.L., e cila sipas raportimeve të mediave spanjolle kishte rreth 27 milionë euro asete në fund të vitit 2024.
Para largimit nga posti drejtues, Luis Enrique realizoi një rritje të kapitalit prej më shumë se 1.4 milionë eurosh, duke e çuar kapitalin e regjistruar të kompanisë në mbi 2.25 milionë euro.
Investimet e kompanisë përfshijnë prona dhe projekte të patundshmërive në zona të ndryshme të Spanjës, përfshirë Barcelonën, Gavà, Begues, Castelldefels dhe Ibiza.
/GazetaBlic Sport/

