Deputetja Edona Llalloshi ka bërë të ditur se edhe në këtë mandat do të jetë pjesë e Komisionit për Kulturë, Turizëm dhe Sport.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka shpalosur disa nga prioritetet e saj në këtë komision, me fokus te artistët, kultura dhe industria kreative.
Llalloshi ka theksuar se synon të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të artistëve, financim më të qëndrueshëm për kulturën dhe krijimin e më shumë mundësive për promovimin e talentit kosovar.
Postimi i plotë në Instagram (pa ndërhyrje):
“Të dashur miq dhe mbështetës,
Me kënaqësi ju njoftoj se angazhimi im si deputete në këtë mandat do të vazhdojë në Komisionin për Kulturë, Turizëm dhe Sport.
E konsideroj këtë jo vetëm si një përgjegjësi institucionale, por edhe si një mundësi për të avancuar politika konkrete për kulturën, artin dhe njerëzit që, me punën e tyre, përfaqësojnë identitetin dhe potencialin e vendit tonë.
Kultura dhe arti janë pjesë e rëndësishme e identitetit tonë dhe një potencial i madh për zhvillimin dhe promovimin e Kosovës.
Në Komision do të angazhohem për:
• Mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit profesional të artistëve;
• Financim më të qëndrueshëm për kulturën;
• Më shumë mundësi për artistët tanë në tregun ndërkombëtar dhe në hapësirën digjitale;
• Si dhe për një bashkëpunim më të fuqishëm me institucionet, industrinë kreative dhe partnerët ndërkombëtarë.
Kosova ka talent, kreativitet dhe potencial.
Andaj, detyra jonë është të krijojmë kushtet që ata të tregojnë aftësitë e tyre.
Gjithashtu, do të vazhdoj të punoj me përkushtim që kultura të ketë vendin që meriton në politikat publike të Kosovës.
Me respekt,
E juaja,
Edona Llalloshi”. /Telegrafi/