Gilberto Mora është kthyer në një nga emrat më të nxehtë të futbollit botëror pas paraqitjeve të tij në Kupën e Botës 2026, duke tërhequr vëmendjen e disa gjigantëve evropianë, me Liverpoolin që raportohet se ka hyrë fuqishëm në garë për shërbimet e tij.
Talenti i ri nga Tijuana konsiderohet si një nga prioritetet e reja të projektit të klubit nga ‘Anfield’, ku stafi drejtues po e monitoron nga afër zhvillimin e tij, sidomos pas paraqitjeve mbresëlënëse në turneun botëror.
Sipas raportimeve nga media holandeze De Telegraaf, Liverpooli është në krye të një grupi prej pesë gjigantësh të Ligës Premier që po ndjekin mesfushorin ofensiv, duke përfshirë edhe Manchester United, Manchester City, Arsenal dhe Chelsea.
Trajneri Andoni Iraola raportohet se e sheh 17-vjeçarin si një element të rëndësishëm për të ardhmen e mesfushës së Liverpoolit, duke e konsideruar si një investim strategjik për projektin afatgjatë në ‘Anfield’.
Interesi për Mora është rritur veçanërisht pas paraqitjes së tij në fazën e 1/8 së finales ndaj Ekuadorit, ku ai konfirmoi talentin dhe pjekurinë e tij për moshën që ka, duke tërhequr vëmendjen e skautëve nga gjithë Evropa.
Edhe pse lojtari ka rinovuar së fundmi kontratën me klubin e tij deri në vitin 2029, marrëveshja përfshin një klauzolë largimi drejt Evropës, gjë që mund të hapë rrugën për një transferim të madh veror.
Vlera aktuale e tij në treg vlerësohet mbi 40 milionë euro, një shifër që Liverpooli është i gatshëm ta shqyrtojë seriozisht për të siguruar një nga talentet më premtues të futbollit botëror./Telegrafi/
