Ish-trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, është tronditur nga vendimi i klubit për ta shkarkuar, vetëm pak më shumë se një vit pasi e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të Ligës Premier në sezonin e tij debutues.
Trajneri holandez u largua nga detyra më 30 maj, pas një sezoni zhgënjyes 2025/26, ku Liverpooli mbeti pa trofe dhe siguroi me vështirësi kualifikimin në Ligën e Kampionëve, duke përfunduar në vendin e pestë në kampionat.
Sipas ekspertit holandez të futbollit, Marcel van der Kraan, vendimi i drejtuesve të Liverpoolit erdhi si një goditje e papritur për Slotin, i cili besonte se vazhdonte të kishte mbështetjen e klubit.
“Herë pas here kemi komunikuar dhe ai më ka lënë të kuptoj se ishte plotësisht i bindur që do të ishte trajner i Liverpoolit edhe sezonin e ardhshëm. Ajo e shtunë ishte si një rrufe në qiell të kthjellët për Arnen”, deklaroi Van der Kraan për talkSPORT.
Ai shtoi se kishte folur me Slotin edhe një ditë më vonë dhe se trajneri ende po përpiqej të përballonte goditjen e marrë nga ky vendim.
Megjithatë, sipas analistit holandez, Slot nuk ishte i hidhëruar për largimin, por më shumë i zhgënjyer nga fakti që nuk arriti të fitojë trofe.
“Mendoj se ai nuk ishte i zemëruar. Ishte ende duke përpunuar surprizën dhe duke kuptuar se nuk fitoi asnjë trofe. Në futboll, në fund gjykohesh nga trofetë”, u shpreh Van der Kraan.
Ai gjithashtu ngriti dyshime nëse stili i lojës së Slotit ishte përshtatur plotësisht me kërkesat e Ligës Premier, duke sugjeruar se intensiteti dhe dinamika e futbollit anglez mund të kenë paraqitur sfida të ndryshme krahasuar me përvojën e tij në Holandë.
Sa i përket së ardhmes, Van der Kraan beson se 47-vjeçari mund të rikthehet në skenën ndërkombëtare, me stolin e Kombëtares së Holandës si një mundësi reale.
“Nëse Ronald Koeman largohet pas Kupës së Botës, atëherë posti i përzgjedhësit të Holandës do të mbetet vakant. Mendoj se Arne Slot është kandidati ideal për atë rol. Ai mund të aplikojë stilin tipik holandez të futbollit, lojë me pasime, sulmuese dhe atraktive. Besoj se holandezët do të ishin të lumtur ta kishin në krye të kombëtares”, përfundoi ai. /Telegrafi/
