Liverpooli është i gatshëm ta ndihmojë Arne Slotin të marrë drejtimin e Kombëtares së Holandës, duke mbuluar një pjesë të pagës së tij, raporton mediumi holandez De Telegraaf.
Pavarësisht ndarjes së rrugëve me trajnerin holandez, drejtuesit e Liverpoolit kanë ruajtur marrëdhënie të mira me të dhe janë të gatshëm të lehtësojnë kalimin e tij te Kombëtarja e Holandës.
Slot kishte nënshkruar një kontratë trevjeçare me Liverpoolin në vitin 2024, me një pagë fillestare prej rreth tetë milionë eurosh në sezon. Pas fitimit të titullit të Ligës Premier në sezonin e tij të parë, paga e tij u rrit për dy vitet e mbetura të kontratës, duke e çuar vlerën totale të marrëveshjes në rreth 30 milionë euro.
Sipas rregullave që zbatohen shpesh në futbollin anglez, klubet vazhdojnë t’i paguajnë trajnerët edhe pas shkarkimit deri në skadimin e kontratës, përveç rasteve kur ata pranojnë një punë të re. Në situata të tilla, zakonisht punëdhënësi i ri mbulon diferencën e pagës.
Megjithatë, Liverpooli është i gatshëm të bëjë një përjashtim. Sipas raportimit, klubi anglez do të paguajë diferencën mes pagës që Slot përfitonte në “Anfield” dhe asaj që do t’i ofrojë Federata Holandeze e Futbollit (KNVB), duke e bërë më të lehtë arritjen e marrëveshjes.
Ky vendim lidhet edhe me respektin që Liverpooli vazhdon të ketë për trajnerin holandez. Edhe pse u largua nga posti, Slot vlerësohet për mënyrën profesionale si e menaxhoi periudhën e tij në klub dhe për faktin se e udhëhoqi Liverpoolin drejt titullit të Ligës Premier në sezonin e tij të parë. /Telegrafi/
