Lista e studentëve në Serbi ka publikuar programin e saj politik, në të cilin ka paraqitur edhe qëndrimet për Kosovën, duke theksuar se do të angazhohet për ruajtjen e saj si pjesë e Serbisë dhe kundërshtimin e pavarësisë së saj, duke mos e ndryshuar asgjë nga politika e ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Në programin e publikuar, studentët deklarojnë se do të luftojnë për ruajtjen e Kosovës si pjesë të Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës serbe dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Ne do të kundërshtojmë vazhdimisht të ashtuquajturën pavarësi të shpallur njëanshëm të Republikës së Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në program, transmeton Zeri.info.
Ata paralajmërojnë gjithashtu se do të kërkojnë ndjekjen penale të përfaqësuesve përgjegjës të institucioneve serbe për marrëveshjet që, sipas tyre, janë përfunduar në kundërshtim me Kushtetutën dhe në dëm të Serbisë.
Një tjetër pikë e programit lidhet me rritjen e autonomisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë. Studentët thonë se synojnë lidhjen administrative të vendbanimeve me popullsi të konsiderueshme serbe me njësitë e vetëqeverisjes lokale me shumicë serbe, si dhe zgjerimin e autonomisë së tyre në raport me institucionet e Kosovës.
Programi përfshin edhe komunitetin goran, për të cilin studentët thonë se do të angazhohen për krijimin e kushteve për mbijetesën e tij dhe rivendosjen e një njësie të vetëqeverisjes lokale në zonat ku goranët përbëjnë shumicën.
Në dokument thuhet gjithashtu se do të mbrohen institucionet arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore serbe në Kosovë, me theks të veçantë te Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në veri të Kosovës, si dhe trashëgimia kulturore e fetare dhe prona e Kishës Ortodokse Serbe.
Programi i tyre për Kosovën:
Ne do të luftojmë për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë si pjesë e Serbisë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244. Ne do të kundërshtojmë vazhdimisht të ashtuquajturën pavarësi të shpallur njëanshëm të Republikës së Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Ne do të ndjekim penalisht të gjithë përfaqësuesit përgjegjës të regjimit për të gjitha veprat e mundshme penale që lidhen me përfundimin dhe zbatimin e marrëveshjeve jokushtetuese në dëm të Serbisë: të gjitha marrëveshjet duhet t'i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë, dhe zbatimi i çdo dispozite jokushtetuese të çdo marrëveshjeje të përfunduar është i papranueshëm.
Ne do të bëjmë një përpjekje të veçantë për të përmirësuar pozicionin e serbëve në Kosovë dhe Metohi, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit, si në gjashtë komuna me shumicë serbe, ashtu edhe në vendet me një popullsi të konsiderueshme serbe që ndodhen jashtë këtyre komunave.
Ne do të synojmë që vende të tilla të jenë të lidhura administrativisht dhe të përfshira në njësitë e vetëqeverisjes lokale me shumicë serbe, dhe që këto njësi të arrijnë sa më shumë autonomi në raport me institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë. Ne do të investojmë përpjekje të veçanta në krijimin e kushteve për mbijetesën e pakicës kombëtare gorane, si dhe në rivendosjen e njësisë së vetëqeverisjes lokale në zonat ku anëtarët e kombësisë gorane përfaqësojnë shumicën.
Ne do të mbrojmë institucionet tona arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore në Kosovë dhe Metohi, me theks të veçantë në Universitetin e Prishtinës me selinë e tij të përkohshme në Kosovën e Veriut, dhe do të mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe fetare, si dhe pronën e Kishës Ortodokse Serbe.

