Si çdo qeveri serbe edhe e ashtuquajtura Lista e Studentëve do të ballafaqohet me realitetin në terren. Ai realitet fillon pak metra para pikave kufitare me Kosovën – në çastin kur shoferi e fut dorën në xhep për të kërkuar pasaportën. Serbia mund ta vazhdojë, edhe me qeverinë e re, politikën e saj humbëse ndaj Kosovës. Kjo politikë rrezikon që brenda pak vitesh nga Kosova të largohen edhe serbët e mbetur.
Disa ndër viset shqiptare po thonë se me fitoren e Listës së Studentëve nuk ka ndryshuar asgjë në Serbi. Kanë të drejtë. Mund të kenë të drejtë. Por është çështje vetëm e qytetarëve të Serbisë se cilën parti e duan në pushtet. Lista e Studentëve mbetet për ta dëshmuar veten – edhe ndaj Kosovës.
Aleksandar Vuçiqi e ka dëshmuar veten. Ai e ka luftuar me çdo mjet pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, regjimi i tij e ka sulmuar territorin e Kosovës me ndihmën e një bande terroriste dhe e mbron kryeterroristin Millan Radojçiq, Vuçiq ka zhvilluar fushata të pandërprera kundër shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe e ka manipuluar komunitetin serb, i cili – ashiqare – ka lejuar të manipulohet nga Lista Serbe e Vuçiqit. Vuçiqi planifikonte ndarjen e Kosovës dhe për këtë kërkonte partnerë në Kosovë.
Si çdo qeveri serbe edhe e ashtuquajtura Lista e Studentëve do të ballafaqohet me realitetin në terren. Ai realitet fillon pak metra para pikave kufitare me Kosovën – në çastin kur shoferi e fut dorën në xhep për të kërkuar pasaportën.
Serbia mund ta vazhdojë, edhe me qeverinë e re, politikën e saj humbëse ndaj Kosovës. Kjo politikë rrezikon që brenda pak vitesh nga Kosova të largohen edhe serbët e mbetur. Beogradi nuk mund t’i mbajë ata në Kosovë duke u thënë «mos e pranoni shtetin e Kosovës» dhe duke u bërë thirrje të shtiren sikur bota nuk ka ndryshuar që nga viti 1999.
Parashikimi im: Serbia është shtet aq i shpartalluar nga autokracia e Vuçiqit, saqë qeveria e Listës së Studentëve nuk do të ketë kohë të merret me përralla nacionaliste për Kosovën. Mund ta bëjë gabimin e qeverisë së deritanishme dhe të merret me Kosovën nga këndvështrimi ultranacionalist, por ndoshta e kanë vërejtur të dielën se njërin nga fytyrat e urryera të së kaluarës, Ivica Daçiqin, i cili dëshironte të vinte me flamur serb në Prizren, populli serb e çoi në djall të mallkuar – nuk hyri as në parlament.
Lista Studentore është një forcë politike e pazakontë. Kandidatët e saj, të cilët tani do të dominojnë parlamentin serb, nuk janë politikanë profesionistë, por profesorë universiteti, artistë, sportistë, arkitektë dhe avokatë. I pari ndër të barabartët në këtë listë ishte Ilija Srdanoviç (56), një kardiolog nga Novi Sadi. Në natën e zgjedhjeve, ai tha se populli serb i ka përplasur një «jo» të qartë fytyrës «tiranit» Vuçiç: «Po marshojmë drejt një Serbie më të qytetëruar dhe më të mirë.» Kjo mbetet për t’u parë.
Nuk është shumë e qartë se çfarë Serbie ëndërrojnë fituesit e zgjedhjeve. Deri më tani kjo dallohet vetëm në vijat e saj të përgjithshme. Në një program prej 11 pikash, në qendër qëndrojnë lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i institucioneve të pavarura. Nuk dihet ende se kush do të jetë kryeministër: Srdanoviç apo ndonjë personalitet tjetër.
Lista Studentore bashkon si nacionalistët, ashtu edhe forcat me orientim të kujdesshëm pro-BE. Ashtu si Vuçiq, edhe Lista Studentore refuzon sanksionet kundër Rusisë. Prandaj, konfliktet me Bashkimin Evropian nuk janë të përjashtuara. Ballafaqimi me realitetin në Serbi dhe në rajon mund të jetë ilaç për kthejllim për Listën Studentore. Të tjerat do të jenë humbje kohe. Për popullin serb dhe në dem të popujve të tjerë. Obsesioni nacionalist me të kaluarën nuk e hap shtegun drejt të ardhmes së Serbisë.

